LIVE/ SHBA goditi bazat ushtarake të Venezuelës dhe arrestoi Maduron, Trump në konferencë për shtyp: Vendin do e qeverisim ne. Paralajmëron edhe politikanët venezuelianë

03/01/2026 19:30

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, është kapur dhe është larguar me aeroplan nga Venezuela pasi SHBA-të kryen një sulm në shkallë të gjerë në kryeqytetin e Karakasit, njoftoi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Shpërthime të forta janë dëgjuar rreth orës 2 të natës me orën lokale në kryeqytetin e Venezuelës, Karacas. Agjencitë ndërkombëtare të lajmeve raportojnë për avionë ushtarakë që fluturonin në lartësi të ulët dhe për “të paktën shtatë shpërthime”. Wall Street Journal flet gjithashtu për praninë e helikopterëve ushtarakë.

Zyrtarë amerikanë i thanë CBS se presidenti Trump ka urdhëruar sulme ndaj Venezuelës, përfshirë objekte ushtarake. Qeveria venezueljane foli për agresion të Amerikës, ndërsa Nicolas Maduro shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në të gjithë vendi. Kreu i shtetit kolumbian Gustavo Petro shkroi në platformën X: “Po bombardojnë Karakasin. Lajmëroni të gjithë botën, Venezuela është sulmuar. Po bombardojnë me raketa”.

Në rrjetet sociale janë publikuar pamje të zjarreve të mëdha me kolona tymi, shkruan AFP, por nuk është e mundur të përcaktohet me saktësi vendndodhja e shpërthimeve. Sipas informacioneve të para, objektivat e goditura dyshohet se kanë qenë baza ushtarake, veçanërisht kazermat më të rëndësishme të vendit, Fort Tiuna, dhe baza ajrore La Carlota.

Sipas CNN, disa lagje të Caracas kanë mbetur pa energji elektrike. Prej javësh tensionet mes qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe asaj të Venezuelës janë shumë të larta, ndërsa ushtria amerikane ka shënjestruar kohët e fundit mjete lundruese që dyshohet se përdoren nga trafikantë droge.Të premten, Venezuela deklaroi se ishte e hapur për të negociuar një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike. Megjithatë, Maduro u shpreh në një intervistë të regjistruar më herët dhe transmetuar të enjten se SHBA-ja kërkon një ndryshim qeverie në Venezuelë dhe synon qasje te rezervat e saj të mëdha të naftës, përmes një fushate presioni që ka zgjatur prej muajsh dhe që ka nisur me një dislokim masiv ushtarak në Detin e Karaibeve ne muajin gusht.

Reagimi i Donald Trump

Donald Trump pohoi lajmet se Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një sulm në shkallë të gjerë kundër Venezuelës, e befasoi me deklaratën se tashmë janë kapur e larguar me avion nga vendi presidenti venezueljan Nicolas Maduro, së bashku me gruan e tij. “Ky operacion u krye në bashkëpunim me forcat e ligjit të SHBA-së. Detajet do të vijojnë më vonë.  Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje!”, ishte mesazhi i tij në rrjetin social Truth Social.

Trumpi është zotuar vazhdimisht se do të kryente operacione tokësore në Venezuelë, e cila është prodhuese e naftës në Amerikën e Jugut, dhe e cila udhëhiqet nga Maduro që nga viti 2013. Shtetet e Bashkuara, opozita venezuelase dhe disa vende të tjera thonë se Maduro i manipuloi zgjedhjet vitin e kaluar për të qëndruar në pushtet. Trump nuk i ka treguar në hollësi qëllimet e tij, por, sipas Reutersit, ai ka ushtruar privatisht trysni ndaj Maduros që të largohet nga vendi. Të hënën, kreu i shtetit amerikane qe shprehur se do të ishte mencuri nga ana e Maduros të largohej vetë nga pushteti.

Reagime të forta ndërkombëtare

Reagimet kanë nisur nëpër botë, me Rusinë që e dënoi aksionin  ushtarak të SHBA-së në Venezuelë  duke thënë se nuk ka asnjë justifikim të qëndrueshëm për sulmin dhe se ideologjia ka mbizotëruar mbi diplomacinë. “Këtë mëngjes, Shtetet e Bashkuara kryen një akt agresioni të armatosur kundër Venezuelës. Kjo është thellësisht shqetësuese dhe e dënueshme”, deklaroi Ministria e Jashtme Ruse duke shtuar se “armiqësia ideologjike ka triumfuar mbi pragmatizmin e biznesit”. Spanja u ofrua menjëherë të ndërmjetësojë mes palëve për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore për Venezuelën. Ambasada e Italisë në Karakas i këshilloi qytetarët italianë që ndodhen atje të mos dalin nga shtëpitë, teksa kryeministrja Giorgia Meloni po e monitoron me kujdes situatën. Liderët e Kubës dhe Kolumbisë i dënuan ashpër shpërthimet e kërkuan një reagim urgjent nga komuniteti ndërkombëtar kundër atij që e përshkruan si sulm kriminal të SHBA-së ndaj Venezuelës. Presidenti kuban Miguel Diaz-Canel shkroi në platformën X se rajoni po “sulmohet brutalisht” dhe e quajti këtë “terrorizëm shtetëror kundër popullit të guximshëm venezuelian”. Trumpi e ka akuzuar Venezuelën se po e mbush SHBA-në me drogë, dhe administrata e tij prej muajsh ka bombarduar anije që vijnë nga Amerika e Jugut, të cilat pretendon se transportonin drogë.

23:04 U arrestuan nga forcat amerikane, Nicolas Maduro dhe bashkëshortja e tij mbërrijnë në bazën ushtarake të Nju Jorkut

Një avion që transportonte presidentin e Venezuelës, Nicolás Maduro, dhe bashkëshorten e tij, Cilia Flores, kanë mbërritur në Stewart Air National Guard Base në Nju Jork, kanë bërë të ditur zyrtarë federalë amerikanë. Maduro pritet të dalë javën e ardhshme para gjykatës federale në Manhattan, ku do të përballet me akuza për trafik droge dhe armësh.

20:22 “Fat të mbarë dhe Zoti ju ndihmoftë”, zbulohen detajet e sulmit në Venezuelë. Aksioni me 150 avionë, ushtari më i ri që mori pjesë vetëm 20 vjeç

Në konferencën për shtyp të presidentit Trump nga Mar-a-Lago u zbuluan detaje të reja rreth operacionit të arrestimit të presidentit venezuelian Nicolas Maduro. Sipas gazetarit të Fox News, Trey Yingst detajet u zbuluan nga Gjenerali Kaine, Kryetari i Shefave të Shtabit të Përbashkët. Sipas Kaine në operacion u përdorën 150 avionë ushtarake që u nisën nga 20 baza të ndryshme në orën 10:46 të mbrëmjes. Kaine tha gjithashtu se anëtari më i vogël i forcave ishte një 20 vjeçar më i vjetri ishte 49 vjeç.

19:56 FOTOLAJM/ Me Rubion dhe Hegseth në krah, Shtëpia e Bardhë publikon fotot e Trump duke ndjekur live arrestimin e Maduros

Shtëpia e Bardhë ka publikuar fotot e presidentit amerikan, Donald Trump në rezidencën e tij në Mar-a-Lago duke ndjekur live operacionin “Absolute Resolve”, aksioni i arrestimit të presidentit venezuelian, Nicolas Maduro. Në fotot e publikuara në llogarinë e Shtëpisë së Bardhë në X, presidenti amerikan vërehet i fokusuar drejt ekranit që shfaq aksionin e trupave amerikane. Pranë tij ndodhen edhe Sekretari i Luftës, Pete Hegseth si dhe Sekretari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Marco Rubio.

19:33 “Rojet që mbronin Maduron ishin nga Kuba”, Rubio mesazh patriotëve të tij: Qeveria kubaneze duhet të jetë e shqetësuar pas aksionit të sotëm

Gjatë konferencës së tij për shtyp pas operacionit ushtarak të SHBA-ve në Venezuelë presidenti amerikan Donald Trump tha se “Kuba do të jetë diçka për të cilën do të flasim në të ardhmen”. “Ne duam të ndihmojmë njerëzit në Kubë edhe njerëzit që u detyruan të largoheshin nga Kuba”, tha presidenti.

19:20 “Maduros iu dhanë disa oferta për dorëzim, por deshi të luante”, Rubio paralajmëron botën: Nuk bëni dot lojëra me presidentin Trump

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, tha se Presidentit Venezuelan Nicolas Maduro iu dhanë “disa oferta shumë, shumë, shumë bujare” për të lënë pushtetin, por “zgjodhi në vend të kësaj të sillej si një njeri i egër” dhe të “luante me presidentin Trump”. Duke folur në konferencën për shtyp pas operacionit ushtarak amerikan që arrestoi Maduron, Rubio tha se udhëheqësi Venezuelan kishte “mundësi të shumta për të gjetur rrugën e tij diku tjetër”.

18:55 Çfarë do ndodhë me Venezuelën pas arrestimit të Maduros, a do e marrë stafetën opozita venezueliane? Ja 3 skenarët e mundshëm

E ardhmja e Venezuelës pas arrestimit të Maduros dhe trazirave të sotme mbetet e paqartë, e ndërsa qytetarët presin udhëheqësin e tyre të radhës, Kushtetuta e vendit përcakton që pushteti i kalon zëvendëspresidentes, Delcy Rodriguez. Rodriguez tha se qeveria nuk e di vendndodhjen e presidentit ose zonjës së tij të parë, Cilia Flores, dhe kërkoi prova “se ai është gjallë”.

18:36  “Do ketë sulm të dytë nëse është nevoja”, Trump: Do jetë shumë më i fuqishëm se i pari

Presidenti Donald Trump deklaroi gjatë konferencës për shtyp se SHBA-të janë të gatshëm të organizojnë një sulm të dytë ndaj Venezuelës nëse do të duhet dhe se ai do të ishte “shumë më i madh” se i pari. Trump shtoi se fillimisht ishte planifikuar një “valë e dytë” sulmesh, duke supozuar se do të ishte e nevojshme.

18:31 Trump paralajmëron figurat politike në Venezuelë: Nëse ndiqni gjurmët e Maduros, do të keni fatin e tij

Presidenti Donald Trump tha të shtunën se embargoja amerikane ndaj naftës venezueliane mbetet në fuqi pas kapjes së Nicolás Maduro dhe shtoi se kompani gjigante amerikane të naftës do të investojnë miliarda dollarë në infrastrukturën e shkatërruar në Venezuelë, ndërsa dha një paralajmërim të ashpër për figurat e tjera politike dhe ushtarake të lidhura me regjimin.

18:12 “Venezuelianët tashmë janë të pavarur dhe të lumtur”, Trump: Vuajtjet nën diktaturën e Maduros kanë mbaruar

Presidenti amerikan Donald Trump tha se “partneriteti” i SHBA-së me Venezuelën do ta bëjë popullin e Venezuelës “të pasur, të pavarur dhe të sigurt”. “Venezuelianët që jetojnë në SHBA do të jenë “jashtëzakonisht të lumtur. Ata nuk do të vuajnë më”, u shpreh Trump.

18:03 “Forcat venezueliane po na prisnin”, Trump në konferencë për shtyp: Ishte një operacion perfekt dhe preciz, nuk kishte mundësi kundërpërgjigjeje

Presidenti amerikan Donald Trump falënderoi ushtrinë për “shpejtësinë, fuqinë, precizionin dhe kompetencën e tyre marramendëse” gjatë operacionit ushtarak në Karakas. Ai tha se këta “luftëtarë të trajnuar vepruan në bashkëpunim me forcat e rendit të SHBA-së”. “Forcat venezueliane po na prisnin, e dinin që do vinim”, u shpreh Trump.

17:55 “Do drejtojmë Venezuelën deri në ardhjen e qeverisë së re”, Trump: Maduro drejt Nju Jorkut, shumë shpejt…

Presidenti amerikan, Donald Trump tha në konferencën e tij për shtyp pas arrestimit të Maduros se SHBA-të do ta drejtojnë përkohësisht shtetin amerikano-latin deri në ardhjen e qeverisë së re.

17:46  “Operacioni Absolute Resolve”/ Trump konferencë për shtyp pas arrestimit të Maduros: Aksioni më i fortë që nga Lufta e Dytë Botërore

Presidenti amerikan Donald Trump tha se operacioni i arrestimit të Maduros nga forcat amerikane ishte më i forti që nga Lufta e Dytë Botërore dhe tha se u ekzekutua në mënyrë perfekte

17:45  Me pranga në duar dhe i rrethuar nga ushtarët amerikanë, mediat venezueliane publikojnë pamjet e para të Maduros pasa arrestimit

Fotografia e parë e Nicolas Maduro-s që kur ai dhe gruaja e tij u kapën nga forcat amerikane Delta Force është publikuar nga një media venezueliane. WRadio publikoi një foto të presidentit venezuelian nga brenda një avioni ushtarak me pranga. Maduro në foto, i veshur me rroba të bardha, është ulur me burra të veshur me uniforma ushtarake në të majtë dhe të djathtë të tij.

17:28 Teksa bota pret konferencën e Trump, mbështetësit e Maduros mbushin rrugët e Karakasit pas arrestimit të tij nga SHBA-të

Teksa bota pret konferencë e Trump, mbështetësit e Maduros mbushin rrugët e Karakasit pas arrestimit të tij nga SHBA-të Ndërsa bota pret konferencën e Trump pas arrestimit të Maduros, mbështetësit e qeverisë po mbajnë një tubim në Karakas. Ata po kërkojnë që SHBA-të të lirojnë udhëheqësin tyre.

17:26 Si ra SHBA në gjurmët e Maduros? Burimi i CIA-s brenda qeverisë venezueliane ndihmoi…

Një burim i CIA-s brenda qeverisë venezueliane ndihmoi SHBA-të të gjurmonin vendndodhjen e Nicolas Maduros për operacionin e kapjes së tij nga njësia elitare Delta Force e ushtrisë amerikane, ka mësuar CBS Neës. Burimi ishte pjesë e një rrjeti të gjerë të dhënash të tjera të inteligjencës, duke përfshirë inteligjencën ajrore dhe të sinjaleve, që informuan operacionin, i cili ishte rezultat i muajve të tërë planifikimi dhe partneriteti të kujdesshëm midis CIA-s dhe Departamentit të Mbrojtjes.

16:12 “Ishte fshehur në fortesë”/ Trump për arrestimin e Maduros: Po dërgohet në New York me helikopter

Presidenti venezuelian Maduro dhe gruaja e tij po udhëtojnë për në Nju Jork pasi u kapën nga SHBA-të, tha Donald Trump për Fox News. Presidenti amerikan deklaroi se dyshja është paditur në New York dhe do të udhëtojë drejt shtetit amerikan me helikopter dhe anije. “Ata vranë shumë njerëz dhe shumë amerikanë, madje edhe njerëz në vendin e tyre”, thotë Trump.

15:55 Kryeministri britanik: Nuk kemi qenë të përfshirë në operacionet në Venezuelë

Kryeministri britanik Sir Keir Starmer ka deklaruar se Britania e Madhe nuk ka qenë e përfshirë në asnjë mënyrë në operacionet amerikane për bombardimin e kryeqytetit të Venezuelës, Karakas, si dhe kapjen e Presidentit Nikolas Maduro. Starmer tha se nuk ka biseduar ende me Presidentin Trump për këtë operacion i cili është duke u zhvilluar me shpejtësi këtë të shtunë. Por shtoi se “dua të bisedojë me presidentin amerikan dhe aleatët. I pyetur për atë që deklaroj Trump se Maduro është kapur, madje është paditur në Nju Jork, kryeministri britanik tha se do duhet të mësojë faktet më parë.

15:46 Trump: E ndoqa arrestimin e Maduros live, si një shfaqje televizive

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se ka ndjekur në kohë reale kapjen e presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro, gjatë një operacioni të ushtrisë amerikane, nga resorti i tij Mar-a-Lago në Florida. Në një intervistë telefonike për Fox News, Trump tha se operacioni u monitorua nga një dhomë e posaçme, në prani të gjeneralëve të lartë amerikanë.

15:35 Arrestimi i Maduros, CNN: Presidenti dhe gruaja e tij u tërhoqën zvarrë teksa ishin në gjumë

Presidenti venezuelian Nicolas Maduro dhe gruaja e tij Cilia Flores u nxorën zvarrë nga dhoma e tyre e gjumit nga forcat amerikane gjatë bastisjes që çoi në kapjen e tyre, raporton CNN. Çifti u kap në mes të natës ndërsa po flinin, thanë burimet. Bastisja, e kryer nga njësia elitare Delta Force e Ushtrisë Amerikane, nuk shkaktoi asnjë viktimë në radhët e SHBA-së, tha një zyrtar amerikan.

15:17 Zbulohen detaje nga arrestimi i Maduros, Delta Force kishin krijuar “modelin e jetesës” së presidentit të Venezuelës

Forca Delta kishte krijuar një “model të jetesës” të Maduros përpara kapjes së tij, raporton Washington Post. Shtetet e Bashkuara kishin dislokuar dy njësi të Forcës Delta të Ushtrisë, një nga Lindja e Mesme dhe një nga Afrika e Veriut, gjatë javëve të fundit, dhe këto forca kishin krijuar një “model të jetesës” të Maduros përpara operacionit, duke hartëzuar vendndodhjen e tij dhe lëvizjet e përditshme, sipas një personi të njohur me këtë dislokim.

14:52 Sulmi i SHBA në Venezuelë dhe arrestimi i Maduros, reagon BE dhe vendet anëtare: Mbështesim një tranzicion paqësor e demokratik

Udhëheqësit në mbarë botën kanë reaguar pas sulmit në shkallë të gjerë të Shteteve të Bashkuara në kryeqytetin e Venezuelës, Karakas, duke shprehur shqetësim për përshkallëzimin e situatës dhe duke bërë thirrje për ulje tensionesh. Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, deklaroi se po e ndjek situatën me “shqetësim të madh”, duke theksuar se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështesë një zgjidhje paqësore, demokratike dhe gjithëpërfshirëse për Venezuelën.

14:28 Pse Shtetet e Bashkuara sulmuan Venezuelën? Nafta, preteksti i drogës, “Doktrina Monroe”: çfarë qëndron pas vendimit të Trumpit

I paraqitur kryesisht si një akt për mbrojtjen e popullsisë amerikane nga një regjim venezuelian që kërkon të destabilizojë Shtetet e Bashkuara duke eksportuar drogë dhe kriminelë të liruar nga burgjet e Maduros, sulmi i vendosur nga Donald Trump ka mbi të gjitha një domethënie gjeopolitike, me ndikime të thella edhe ekonomike dhe mbi qëndrueshmërinë e rregullave të së drejtës ndërkombëtare.

14:10 FOTO-GALERI/ Pasojat e sulmit amerikan në Karakas të Venezuelës, tym i zi dhe njerëz që vrapojnë të tmerruar

SHBA-të kanë kryer një sulm në shkallë të gjerë në kryeqytetin e Venezuelës, ku presidenti Nicolas Maduro është kapur dhe është larguar me aeroplan nga vendi, sipas presidentit të SHBA-së Donald Trump. Fotot më poshtë tregojnë situatën menjëherë pas sulmit në kryeqytetin e Venezuelës, Karakas. Tym i zi dhe errësirë e plotë, pas shpërthimeve dhe zhurmave të forta, njerëzit largohen të tmerruar.

13:51 Venezuela nxjerr në rrugë tanket, Rubio: S’do ketë më sulme, Maduro në paraburgim

Pas sulmeve të orëve të para të ditës së sotme, Venezuela ka dislokuar ushtrinë e në rrjet, kanë qarkulluar pamje të tankeve nëpër rrugë. Megjithatë, nuk dihet sesa i organizuar do të jetë reagimi i vendit të mbetur tashmë pa liderin e tij, Nicolas Maduro. Ministri i mbrojtjes, Vladimir Padrino, deklaroi vetëm se forcat e armatosura janë në gjendje gatishmërie të plotë për një “mbrojtje integrale të kombit”.

13:49 Çfarë ndodh tani? CNN: Skenarët për Venezuelën, nga kthimi i Gonzalez tek marrja e pushtetit nga ushtria

Se çfarë do të ndodhë në Venezuelë, për momentin, duket mjaft e paqartë. Kushtetuta e vendit përcakton se pushteti do t’i kalojë zëvendëspresidentes së vendit, Delcy Rodríguez, e cila pak më herët deklaroi publikisht se qeveria nuk ka as idenë më të vogël mbi vendndodhjen e presidentit dhe të Zonjës së Parë, Cilia Flores. E ardhmja e regjimit në vetvete megjithatë, është në pikëpyetje dhe opozita – brenda dhe jashtë vendit – ka shumë gjasa ta shohë këtë moment si një mundësi kritike. Opozita venezueliane insiston se presidenti legjitim është politikani në mërgim Edmundo González.

13:45 U arrestua me urdhër të Trump, Maduro akuzohet zyrtarisht për trafik droge dhe armësh

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, është paditur zyrtarisht në Distriktin Jugor të Nju Jorkut për akuza të rënda që lidhen me trafik droge dhe armësh, bëri të ditur Prokurorja e Përgjithshme e SHBA-së, Pam Bondi. Sipas saj, Maduro akuzohet për komplot për narkoterrorizëm, komplot për importim kokaine, posedim të mitralozëve dhe mjeteve shkatërruese, si dhe komplot për posedim të tyre kundër Shteteve të Bashkuara

13:38 Arrestimi i Maduros, Rusia i kërkon llogari Amerikës: Të sqarohet menjëherë situata! Jemi të shqetësuar për Presidentin e Venezuelës

Ministria e Jashtme ruse bëri thirrje për “sqarime të menjëhershme” mbi situatën në Venezuelë, pasi SHBA-të thanë se kishin kapur dhe larguar Presidentin Nicolas Maduro dhe gruan e tij nga vendi. “Jemi jashtëzakonisht të shqetësuar nga raportet se Presidenti Venezuelian Maduro dhe gruaja e tij u dëbuan me forcë nga vendi gjatë veprimeve agresive të sotme nga Shtetet e Bashkuara. Ne kërkojmë sqarim të menjëhershëm të kësaj situate”, tha ministria në një deklaratë.

12:59 Gazetari i “New York Times” tregon 50 sekondat e bisedës me Trump pas sulmit në Venezuelë: U përgjigj pas 3 zileve në telefon, dukej i lodhur. Për ofensivën më tha…

Korrespondenti i “New York Times” në Florida, Tyler Pager ka rrëfyer bisedën me Presidentin Trump pak minuta pas njoftimit mbi sulmin në Venezuelë. ‘Presidenti Trump dukej i lodhur. Ishte pak pas orës 4:30 të mëngjesit të së shtunës dhe 10 minuta pasi ai kishte njoftuar në rrjetet sociale se Shtetet e Bashkuara kishin kapur Nicolás Maduron, udhëheqësin e Venezuelës.

12:51 Sulmi në Venezuelë, pikëpyetjet dhe çfarë dihet pas ofensivës amerikane në vendin e Nicolas Maduros

Pak orë pas sulmit amerikan në Venezuelë, mediat ndërkombëtare kanë bërë një bilanc mbi faktet që tashmë dihen dhe ato që nuk kanë ende një përgjigje.
Çfarë dimë?
Donald Trump thotë se SHBA-të kanë ndërmarrë një “sulm në shkallë të gjerë” ndaj Venezuelës.
Ai shton se presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, dhe bashkëshortja e tij janë kapur dhe “janë nxjerrë nga vendi me avion”.

12:45  “Operacioni në Venezuelë, me shpejtësi mbresëlënëse”, eksperti amerikan: Sulm i mbështetur fort nga ajri, ka marrë kohë për t’u përgatitur

Operacioni amerikan në Venezuelë duket se është kryer me një “shpejtësi mbresëlënëse” dhe ka shumë gjasa të ketë përfshirë forca të operacioneve speciale, sipas një eksperti që foli për CNN-in. N.R. Jenzen-Jones, drejtor i kompanisë kërkimore Armament Research Services, i tha CNN-it të shtunën se operacioni në Venezuela “në shikim të parë duket se është realizuar me shpejtësi dhe saktësi mbresëlënëse”.

12:32 Prapaskenat e sulmit në Venezuelë, ofensiva ishte parashikuar natën e Krishtlindjeve. Çfarë e ndryshoi planin e amerikanëve

Sipas zyrtarëve ushtarakë amerikanë të cituar nga CBS, Trump kishte dhënë miratimin për planin e sulmit të sotëm prej ditësh. Ishte shqyrtuar mundësia që misioni të kryhej ditën e Krishtlindjes, por sulmet ajrore amerikane në Nigeri kundër objektivave të Shtetit Islamik patën përparësi, sipas burimeve.

12:06 Dikur shofer autobusi, çfarë dihet për 12 vitet e diskutueshme të Maduros si udhëheqës i Venezuelës

Presidenti venezuelian Nicolas Maduro ishte një aleat i hershëm i udhëheqësit populist të Venezuelës, Hugo Chavez, dhe e pasoi atë pasi ky i fundit vdiq nga kanceri në vitin 2013. Ish-shoferi i autobusit dhe udhëheqësi i sindikatës nuk pati kurrë mbështetjen popullore dhe as karizmën që zotëronte Chavez, dhe fitorja e tij në zgjedhjet presidenciale të vitit 2013 u kontestua nga opozita. Gjatë mandatit të Maduros që atëherë, Venezuela ka parë periudha trazirash dhe krize ekonomike, mes një numri gjithnjë e në rritje sanksionesh amerikane dhe keqmenaxhimit të industrisë kritike të naftës në vend.

11:52 Sulmi amerikan në Karakas, Ministri i Mbrojtjes së Venezuelës: Ne do t’i rezistojmë trupave të huaj

Venezuela do t’u rezistojë trupave të huaja, tha Ministri i Mbrojtjes Vladimir Padrino Lopez në një mesazh video të publikuar ndërsa Presidenti i SHBA-së Donald Trump njoftoi se Presidenti i Venezuelës Nicolas Maduro ishte kapur dhe larguar nga vendi. Sulmi i nisur nga forcat e armatosura amerikane në agim në Venezuelë goditi zonat e banuara, tha Padrino, duke shtuar se autoritetet po mbledhin informacione për të vdekurit dhe të plagosurit.

11:45 Video/ Frikë dhe panik tek banorët në Karakas, pas sulmit amerikan ndaj Venezuelës

Në orët e fundit, Karakasi ka qenë në një gjendje tronditjeje dhe trazirash, pas sulmit të nisur nga SHBA-të. Shpërthime janë dëgjuar në disa lagje të kryeqytetit, me imazhe që përshkruajnë terror dhe shkatërrim. Qeveria venezueliane e denoncon sulmin si një “veprim shumë serioz ushtarak”, ndërsa ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë vendin, me Donald Trump që njoftoi se Nicolas Maduro është arrestuar dhe ndodhet jashtë Venezuelës.

11:40 Sulmet amerikane në Venezuelë dhe largimi i Maduros, reagimet nga Spanja, Italia dhe Rusia

Spanja u ofrua menjëherë të ndërmjetësojë mes palëve për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore për Venezuelën. Ambasada e Italisë në Karakas i këshilloi qytetarët italianë që ndodhen atje të mos dalin nga shtëpitë, teksa kryeministrja Giorgia Meloni po e monitoron me kujdes situatën. Liderët e Kubës dhe Kolumbisë i dënuan ashpër shpërthimet e kërkuan një reagim urgjent nga komuniteti ndërkombëtar kundër atij që e përshkruan si sulm kriminal të SHBA-së ndaj Venezuelës. Presidenti kuban Miguel Diaz-Canel shkroi në platformën X se rajoni po “sulmohet brutalisht” dhe e quajti këtë “terrorizëm shtetëror kundër popullit të guximshëm venezuelian”.

11:39 Rusia dënon sulmet ndaj Venezuelës: Të gatshëm për të ndërmjetësuar dhe për të gjetur një zgjidhje

Sipas një deklarate nga Ministria e Jashtme Ruse, në rastin e Venezuelës është e rëndësishme të shmanget përshkallëzimi i mëtejshëm i krizës dhe të gjendet një zgjidhje përmes dialogut. Në të njëjtën kohë, Ministria dënoi sulmet në Karakas dhe zona të tjera dhe deklaroi gatishmërinë e Rusisë për të ndihmuar në dialogun midis palëve ndërluftuese. Përveç kësaj, deklaroi se Rusia qëndron pranë qytetarëve të Venezuelës.

11:25 Video/ Sulmi i SHBA-së ndaj Venezuelës, helikopterë dhe aeroplanë ushtarakë fluturojnë ulët mbi Karakas

Imazhet tregojnë një konvoj helikopterësh dhe aeroplanësh ushtarakë që fluturojnë ulët mbi Venezuelë. Shtetet e Bashkuara kanë nisur një sulm kundër disa vendeve dhe bazave ushtarake në Venezuelë. Shpërthime u regjistruan në Karakas dhe vende të tjera, veçanërisht në shtetet Miranda, Aragua dhe La Guaira.

11:19 “Kapëm Maduron dhe gruan e tij”/ Zv.presidentja e Venezuelës pas deklaratës së Trump: Nuk kemi informacion se ku ndodhet Presidenti

Zëvendëspresidentja e Venezuelës, Delcy Rodriguez, deklaroi se qeveria nuk ka informacion mbi vendndodhjen e presidentit Nicolas Maduro dhe bashkëshortes së tij, Cilia Flores. Rodriguez, në një mesazh të transmetuar në audio nga kanalet shtetërore, tha se autoritetet “kërkojnë prova të menjëhershme”, duke theksuar shqetësimin për sigurinë e dy figurave kryesore të qeverisë.

10:33 Bombardimet në Venezuelë/ “Maduro u arrestua nga Forcat e Deltës”, reagon Trump: SHBA kreu me sukses një sulm të madh

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi të shtunën në mëngjes në një postim në rrjetin Truth Social se presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, dhe bashkëshortja e tij janë “kapur dhe larguar me aeroplan nga vendi”, pas asaj që ai e përshkroi si sulme ushtarake amerikane në Venezuelë.

10:27 SHBA-ja nis operacione ushtarake në Venezuelë, mediat lokale raportojnë sulme në mauzoleun e Hugo Chavez në Karakas

Mediat venezueliane raportojnë se Shtetet e Bashkuara sulmuan gjithashtu kompleksin Cuartel de la Montaña në Karakas, një ish-muze ushtarak që u shndërrua në mauzole për Hugo Chavezin pas vdekjes së tij. Eshtrat e ish-liderit venezuelian mbahen atje.

10:08 Reagimi i parë i Venezuelës pas sulmit të SHBA-së: Mobilizoni të gjithë vendin, zbatoni planet e mbrojtjes kombëtare

Qeveria e Venezuelës, në reagimin e saj të parë pas nisjes së sulmeve, deklaroi të shtunën në mëngjes se “dënon dhe i shpreh kundërshtimin e saj ndaj agresionit shumë serioz ushtarak të qeverisë amerikane.” Venezuela tha se sulmet kishin në shënjestër objektiva civile dhe ushtarake në qytetin e Karakasit dhe shtetet Miranda, Aragua dhe La Guaira.

09:34 Venezuela akuzon SHBA-në për ‘agresion të rëndë ushtarak’, shpërthimet tronditin Karakasin

Qeveria e Venezuelës ka dënuar atë që e quajti një “agresion ushtarak shumë serioz” nga Shtetet e Bashkuara, pasi shpërthime u raportuan gjatë natës në Karakas dhe në disa zona të tjera të vendit. Autoritetet në Karakas akuzuan SHBA-në për sulme në kryeqytet dhe në shtetet Miranda, Aragua dhe La Guaira. Presidenti Nicolás Maduro njoftoi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe urdhëroi zbatimin e të gjitha planeve të mbrojtjes kombëtare “në kohën dhe rrethanat e duhura”.

09:24 A mund t’i bëjë ballë Maduro SHBA-së? Ja armët që ai disponon

Pyetja thelbësore është nëse Venezuela “ka ushtrinë dhe armët” e nevojshme për të mbështetur kërcënimet e saj. Përgjigja është pozitive në nivel portofoli, me “por” të konsiderueshme në gatishmëri. Forcat e armatosura (FANB) numërojnë mbi njëqind mijë personel aktiv, ndërsa Maduro e paraqet Milicinë Kombëtare si një “mburojë” multi-milionëshe, por kryesisht një mjet kontrolli të brendshëm dhe legjitimimi politik. Vlerësimet e pavarura e vendosin disponueshmërinë aktuale më të ulët, me kapacitetin e përgjithshëm të prekur nga vitet e krizës ekonomike dhe mirëmbajtjes.

09:02 Video/ Shpërthime dhe sirena sulmesh ajrore në Karakas, Maduro shpall gjendjen e jashtëzakonshme

Sirena sulmesh ajrore dhe shpërthime u dëgjuan në orët e para të së shtunës në kryeqytetin venezuelian , Karakas, me Presidentin Nicolas Maduro që shpalli  në një përgjigje fillestare –vendin në gjendje të jashtëzakonshme. Sipas raportimeve, një nga objektet që është goditur është Kalaja Tiuna në anën jugore të qytetit, kompleksi kryesor ushtarak i Venezuelës, ku ndodhen ndër të tjera  Ministria e Mbrojtjes dhe Akademia Ushtarake.

FOTO GALERI
1/10

Top Channel

DIGITALB DIGITALB