E vetme me dy fëmijët autikë, sakrifica e nënës së papunë dhe pa asnjë mbështetje institucionale

03/01/2026 12:33

Viti 2026 ka nisur, por për familjen e Elenës asgjë nuk ka ndryshuar.

Skamja, mungesa e ushqimit dhe kushtet e rënda të jetesës vazhdojnë të jenë realiteti i përditshëm i kësaj nëne të vetme dhe dy fëmijëve të saj me autizëm.

Ndërsa shumica e familjeve hynë në vitin e ri me shpresë dhe festë, shtëpia e Elenës mbeti e ftohtë dhe e heshtur. Frigoriferi është bosh. Nuk ka ushqime, nuk ka ëmbëlsira, nuk ka asnjë shenjë feste. Fëmijët, me pafajësinë e tyre, pyesin dhe kërkojnë gjëra të vogla, ndërsa nëna, me lot në sy, nuk ka mundësi t’ua plotësojë as dëshirën më minimale. Ata nuk kanë as një televizor për t’u argëtuar, ndërsa muret e shtëpisë janë të mbuluara nga lagështia, duke e bërë jetesën edhe më të rëndë.

Elena është nënë e vetme dhe nuk ka asnjë mbështetje familjare apo institucionale. E vetmja ndihmë që merr është ajo minimale për dy fëmijët e sëmurë, ndihmë që nuk mjafton as për nevojat bazë të jetesës. Ajo kujdeset 24 orë në ditë për fëmijët e saj dhe nuk ka mundësi të punojë, pasi ata kanë nevojë të vazhdueshme për praninë e saj.

Çdo ditë e Elenës është një betejë për mbijetesë, një sakrificë e heshtur që zhvillohet larg vëmendjes së institucioneve. Lodhja fizike dhe emocionale është e madhe, por ajo vazhdon të luftojë vetëm për një arsye: fëmijët e saj

Top Channel

DIGITALB DIGITALB