Reshje shiu dhe dëbore në ditët e para të janarit, autoritetet paralajmërojnë rrezik për përmbytje në Qarkun e Vlorës

02/01/2026 19:28

Sipas parashikimit 5-ditor të motit të publikuar nga Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO), pranë Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, për periudhën 2–5 janar 2026 parashikohen reshje shiu në të gjithë territorin e vendit. Më 5 janar, reshje të dendura pritet të përfshijnë edhe Qarkun e Vlorës.

Në zonat malore të këtij qarku, në lartësi mbi 600 metra mbi nivelin e detit, parashikohen gjithashtu reshje dëbore. Autoritetet paralajmërojnë se intensiteti i lartë i reshjeve dhe rritja e prurjeve në lumenj mund të sjellin problematika të ndryshme.

Sipas vlerësimeve, ekziston rrezik për vërshime uji në zona urbane dhe rurale, probleme në sistemet e kanalizimeve si dhe përmbytje të përkohshme në zona të evidentuara me risk.

Për të parandaluar dhe minimizuar pasojat, strukturat e mbrojtjes civile në Qarkun e Vlorës kanë nisur zbatimin e masave paraprake. Këto përfshijnë njoftimin e bizneseve që ndodhen në zona të rrezikuara nga përmbytjet, paralajmërimin e blegtorëve pranë lumenjve dhe zonave të ulëta për zhvendosjen e bagëtive, si dhe informimin e qytetarëve përmes mediave lokale.

Po ashtu, po kryhen kontrolle dhe pastrime të kanaleve kulluese, pusetave dhe nënkalimeve në zonat urbane, ndërsa hidrovorët janë vendosur në gatishmëri. Autoritetet kanë marrë masa edhe për garantimin e funksionimit të pandërprerë të sistemeve të ujësjellës-kanalizimeve dhe furnizimit me energji elektrike në zonat me risk.

Autoritetet vendore u bëjnë thirrje qytetarëve të Qarkut Vlorë të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të bashkëpunojnë me strukturat përkatëse, me qëllim garantimin e sigurisë së jetës dhe pronës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB