Pas fitores në transfertë ndaj Pisas, fundjavën e kaluar, Juventusi dhe Luciano Spalletti nuk kanë ndërmend të ndalen. Ndeshjen e kësaj të shtune ndaj Lecces në Allianz Stadium, Zonja e Vjetër do të kërkojë të regjistrojë fitoren e 4 radhazi me synimin për ta ndezur akoma më shumë garën për kualifikimin në Ligën e Kampioneve.

‘Lojtarët kanë punuar mirë, pavarësisht festimeve. I kam parë të vendosur në stërvitje, pres që të kenë vazhdimësi dhe të njëjtën vëmendje që kanë shfaqur në ndeshjet e mëparshme, duke gjetur diçka të re që na dha më shumë forcë-tha Spalletti në konferencën për shtyp përpara ndeshjes.

Spalletti foli edhe për Leccen dhe trajnerin e saj duke bërë vlerësimet maksimale.

‘Nuk do të jetë një ndeshje e lehtë, njoh shumë persona në Lecce mes të cilëve Di Francescon-shtoi Spalletti-kemi punuar bashkë te Roma, është një trajner modern dhe ka bërë një lojë sulmuese edhe kur gjërat nuk i shkonin mirë. Kanë zhvilluar ndeshje shumë të mira në këtë kampionat’.

Spalletti bëri edhe një bilanc të parë të këtyre muajve të tij në pankinën bardhezi.

‘Jam i kënaqur, gjithnjë i kam parë futbollistët të kërkojnë gjëra të reja-tha trajneri toskan-ata janë protagonistës, në një futboll të tillë ku kërkohen duelet, janë ata që duhet t’ia dalin të gjejnë një pozicion për të mos u ndjerë si në kafaz. E shoh që e kërkojnë këtë dhe fakti që kanë kuriozitet më jep kënaqësi. Kemi hapësira për t’u përmirësuar’

Përsa i përket merkatos së transferimeve, Luciano Spalletti nuk deshi të çbilancohej.

‘Kam ardhur këtu me pakte. Nuk pres asgjë, jam i kënaqur me futbollistët që kam në dispozicion-tha Spalletti-i uroj mirëseardhjen Marco Ottolinit, të gjithë e njohin dhe thonë që është një profesionist i nivelit të lartë, aq sa Juventus shkoi për ta marrë. Do të jetë ai që do të merret me merkaton, për momentin nuk kam nevojë për asgjë’

Trajneri toskan komentoi dhe deklaratat e fundit të trajnerit të Napolit, Antonio Conte që kishte thënë se në aspektin strukturor, skuadra e tij nuk ishte akoma gati për të komanduar.

‘Them se Conte ka të drejtë; në aspektin teknik nuk ka asgjë për të pasur zili te skuadra e tij-tha Spalletti-Në aspektin strukturor, përsëri ka të drejtë; kur erdha te Juventus gjeta barrierën që lëviz për ekzekutimin e goditjeve të dënimit, te Napoli, kjo nuk ishte

Në fund, Spalletti përmendi edhe të ardhmen e tij te Juventusi.

‘Nëse do të kisha nevojë për diçka tjetër apo për një kontratë afatgjatë, do t’ia kisha kërkuar Comollit kur biseduam. Unë ndihem mirë në të gjitha aspektet. Këtu kam gjetur persona shumë profesionistë dhe të respektueshëm për rolin dhe për atë që duhet të bëjmë. Tani kemi edhe të njëjtët objektiva dhe duam të punojmë për të shkuar në Ligën e Kampioneve. Në qershor do të bëjmë edhe vlerësimet më të mira në bazë të punës që kemi bërë dhe për të mirën e Juventusit-përfundoi Luciano Spalletti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB