Kanë kaluar 21 vite që kur Aurelio De Laurentiis bleu Napolin, 21 vjet të shënuara nga suksese, dështime, gëzime dhe zhgënjime. Më 6 shtator 2004, De Laurentiis bleu Napolin për rreth 31 milionë euro, duke e shpëtuar klubin nga falimentimi.

Ai mori praktikisht nga hiçi një skuadër, një klub, një stadium, një tifozëri dhe një qytet të tërë, duke i rikthyer në majën e futbollit italian përmes pasionit, largpamësisë, vendosmërisë, fitimeve kapitale dhe të ardhurave milionëshe pa financime të jashtme, këmbënguljes dhe investimeve të mëdha. Duke nisur nga Serie C1, ai arriti të fitojë shtatë trofe në krye të klubit. Në fund të vitit të parë nga dy sezonet e Luciano Spallettit, marrëdhënia e tij me tifozët dukej se kishte arritur një pikë pa kthim, për shkak të raporteve të tensionuara me qytetin dhe vendimeve të papëlqyera në merkato.

Por që nga Scudetto e tretë e tutje, ai hyri drejtpërdrejt në “Olimp” dhe u futur përfundimisht në zemrat e popullit “Azzur” dhe në historinë e klubit si një figurë qendrore. Pas sukseseve të para që i dhanë qytetit shijen e fitores, si Kupa e Italisë me Walter Mazzarrin dhe Superkupa e Italisë me Rafa Benitezin, erdhën triumfet më të mëdha. Dy Scudetto në tri vitet e fundit. Fillimisht me Spallettin, më pas me Antonio Conten, ky i fundit arriti edhe pak javë më parë të fitonte edhe Superkupën e Italisë ndaj Bolognas në finale.

Nga Serie C në Serie A

Në javët pas falimentimit, Aurelio De Laurentiis mori drejtimin e klubit dhe e regjistroi Napolin në kampionatin 2004-2005 të Serie C1. Në sezonin 2006-2007, me Edoardo Rejan në stol, “Azzurrët” u rikthyen në Serie A pas gjashtë vitesh mungesë, falë ndeshjes vendimtare ndaj Genoas në stadiumin “Ferraris”. Më 10 qershor 2007, Napoli dhe Genoa u rikthyen së bashku në elitë. Ndeshja mes dy skuadrave përfundoi 0-0, rezultat që i dha të dyja ekipeve ngjitjen matematikore.

Ishte fillimi i një rruge të re, një rilindje e vërtetë, që pa lojtarë si Marek Hamsik dhe Ezequiel Lavezzi të shndërroheshin në heronjtë e rinj të popullit napolitan.

Konsolidimi në Serie A

Me ardhjen e Walter Mazzarrit në stol, Napoli u rikthye në nivelet më të larta. Në sezonin 2010-2011, skuadra u rikthye në Ligën e Kampionëve pas 21 vitesh mungesë, ndërsa në sezonin 2011-2012 fitoi Kupën e katërt të Italisë në historinë e klubit. Në arenën evropiane, “Azzurrët” dhuruan disa ndeshje spektakolare, përfshirë fitoret ndaj Manchester Cityt të Yaya Toures dhe Chelseat të Didier Drogbas në fazën me eliminim direkt.

Në sezonin 2012-2013, Napoli përfundoi i dyti në kampionat, i udhëhequr nga një Edinson Cavani i jashtëzakonshëm, golashënuesi më i mirë i Serie A atë sezon. Hamsik, Lavezzi dhe Cavani formuan treshen legjendare të quajtur “Tenorët Azzur”.

Benitez dhe Sarrismo

Sezoni pasues shënoi vazhdimin e rritjes së klubit dhe nisjen e procesit të ndërkombëtarizimit, me emërimin e Rafa Benitezit, ish-trajnerit të Liverpoolit. Fitues i Ligës së Kampionëve me “The Reds”, Benitezi i dhuroi Napolit Kupën e pestë të Italisë në sezonin 2013-2014 dhe Superkupën e dytë të Italisë. Ai solli në Napoli lojtarë të nivelit evropian si Gonzalo Higuain, Raul Albiol dhe Jose Callejon nga Real Madridi.

Në vitin 2013, Napoli zhvilloi një fazë të shkëlqyer të grupeve në Ligën e Kampionëve, me katër fitore në gjashtë ndeshje ndaj Borussia Dortmundit dhe Arsenalit, por për shkak të renditjes së veçantë dhe barazimit me pikë me anglezët dhe gjermanët, nuk arriti të kualifikohej më tej.

Një arritje që u ndje si tallje.

Së bashku me tre lojtarët nga Real Madridi, në portë erdhi Pepe Reina, ndërsa nga PSV u transferua Dries Mertens, i cili shpejt u bë idhull i tifozëve. Kështu nisi epoka e Maurizio Sarrit, i cili shfrytëzoi maksimalisht grupin e ndërtuar nga Benitezi dhe iu afrua shumë fitimit të Scudettos në vitin 2018, duke e mbyllur kampionatin me 91 pikë, katër më pak se Juventusi i Massimiliano Allegrit.

Napoli i Sarrit, i njohur si “Sarrismo”, një term që u përfshi edhe në fjalorin Treccani, ofroi futboll spektakolar, të admiruar në mbarë botën, me lojtarë si Allan, Jorginho, Hamsik dhe Raul Albiol. Pavarësisht nivelit të lartë të lojës, trajneri toskan e mbylli periudhën 2015-2018 pa asnjë trofe. Ai krijoi një lidhje të fortë me Gonzalo Higuainin, i cili shënoi 36 gola në Serie A në sezonin 2015-2016, rekord absolut për një sezon të vetëm.

“Qëndro edhe një vit këtu dhe do të të bëj sulmuesin më të mirë në botë”.

Premtimi u mbajt, me një fund hollywoodian dhe golin e 36-të të shënuar me roveshatë ndaj Frosinones, nën shi të rrëmbyeshëm në stadiumin e atëhershëm “San Paolo”. Në merkaton pasuese, De Laurentiis e shiti Higuainin te Juventusi i Agnellit.

Ancelotti, Gattuso dhe vitet e vështira

Pas Sarrit erdhi Carlo Ancelotti, por ai nuk arriti të përsëriste sukseset e paraardhësit. Në sezonin e parë Napoli u rendit i dyti, por sezoni i dytë ishte një dështim total, që kulmoi me shkarkimin e tij në vitin 2020. Më pas erdhi Gennaro Gattuso, nën drejtimin e të cilit Napoli fitoi Kupën e gjashtë të Italisë. Ishte një periudhë e vështirë për klubin, ku presidenti kishte investuar shumë besim te Ancelotti, por pa rezultatet e pritura.

Spalletti dhe Conte: Rikthimi i Scudettos

Sezoni 2021-2022 shënoi ardhjen e Luciano Spallettit, një trajner me përvojë të madhe, por pa tituj në Itali. Në sezonin e parë, Napoli përfundoi i treti, duke luftuar deri në fund për Scudetto. Në sezonin 2022-2023, pas një revolucioni të madh në merkato me largimin e Insignes, Koulibalyt, Fabian Ruizit dhe Mertensit, erdhi triumfi historik i Scudettos së tretë, 33 vjet pas suksesit me Maradonën.

Me 90 pikë, çerekfinale në Ligën e Kampionëve dhe futboll spektakolar, Napoli u rikthye në majë të Italisë me dyshen Kvaratskhelia–Osimhen. Scudettoja e dytë nuk vonoi 33 vjet, por erdhi shpejt, në sezonin 2024-2025 me Antonio Conten në stol. Trajneri nga Lecce, fitues serial i titujve në Itali, e nxori Napolin nga rrënojat e një sezoni katastrofik dhe e çoi drejt Scudettos së katërt në histori. Lojtarë si Romelu Lukaku, Scott McTominay dhe David Neres ishin ndër protagonistët kryesorë. Goli me roveshatë i skocezit dhe aksioni spektakolar i belgut në ndeshjen e fundit ndaj Cagliarit i dhanë Napolit titullin me 82 pikë, një më shumë se Interi.

Antonio Contes iu desh vetëm një vit për ta rikthyer Scudetton nën hijen e Vezuvit, duke fituar më pas edhe Superkupën e Italisë, të tretën në histori për Napolin, me David Neres dhe Rasmus Hojlund si protagonistë absolutë. Pronari i klubit realizoi investime masive për të përmbushur kërkesat e trajnerit, duke shpenzuar rreth 350 milionë euro në dy merkato verore. Dhe pas Higuainit, De Laurentiis arriti të sillte një tjetër yll botëror në Napoli: Kevin De Bruyne.

Qëllimi i Contes është të vazhdojë fitoret në një vit të veçantë për klubin, njëqindvjetorin e themelimit në vitin 1926. Një shekull histori, në të cilin Aurelio De Laurentiis ka qenë, është dhe do të mbetet një protagonist i madh. Ndoshta më i rëndësishmi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB