Ikona e Chelsea-t jep lajmin e keq, ish-futbollisti rumun pranon se i është nënshtruar trajtimit për kancer

01/01/2026 11:31

Dan Petrescu, një nga figurat më të njohura në historinë e Chelseat dhe futbollit rumun, po i nënshtrohet trajtimit për kancer. Lajmi i rëndë është konfirmuar nga presidenti i ligës rumune të futbollit, Gino Iorgulescu.

Ish-mbrojtësi i përfaqësueses së Rumanisë, i cili fitoi katër trofe në pesë vite me Chelsean – përfshirë Kupën e Fituesve të Kupave – u largua nga posti i trajnerit të CFR Cluj rreth katër muaj më parë dhe që prej asaj kohe ka qëndruar larg vëmendjes publike.

Së fundmi, në mediat rumune janë publikuar foto dhe pamje filmike të 57-vjeçarit duke ecur në një park, me syze të errëta dhe dukshëm i dobësuar, mes raportimeve se ai ka humbur rreth 30 kilogramë në peshë.

Presidenti i ligës, Gino Iorgulescu, ka zbuluar se Petrescu po kryen kimioterapi. “Është një situatë shumë delikate. Zoti e ndihmoftë Danin të shërohet. Nuk e di diagnozën e saktë, por e kuptoj se është shumë serioze. Ai po i nënshtrohet kimioterapisë”, ka deklaruar Iorgulescu për mediat lokale.

Ai ka shtuar se ka një marrëdhënie të gjatë miqësore dhe profesionale me Petrescun, por që prej momentit kur ka mësuar për seriozitetin e gjendjes së tij, nuk ka pasur kontakte të drejtpërdrejta me të.

Sipas raportimeve, edhe tre vajzat e Petrescut janë kthyer nga jashtë vendit për të qenë pranë tij në këtë periudhë të vështirë.

Dan Petrescu numëron 207 paraqitje me fanellën e Chelseat, ku ka shënuar 24 gola dhe ka fituar dy FA Cup, një League Cup dhe Kupën e Fituesve të Kupave, përpara se të largohej nga klubi londinez në vitin 2000. Në Angli ai ka luajtur gjithashtu për Sheffield Wednesday, Bradford dhe Southampton.

Si trajner, Petrescu ka pasur sukses të madh me CFR Cluj, duke fituar pesë tituj kampion, ndërsa ka drejtuar edhe klube në Rumani, Poloni, Rusi, Kinë dhe Lindjen e Mesme. Ai u largua nga Cluj pas humbjes së thellë 7-2 ndaj Hacken në Conference League në muajin gusht.

Bota e futbollit i ka shprehur mbështetje dhe urime për shërim të shpejtë legjendës rumune.

Top Channel