Lando Norris jashtë Listës së Nderimeve, kampioni i botës në Formula 1 pa vlerësim nga Mbretëria e Bashkuar

31/12/2025 12:46

Viti që e kurorëzoi Lando Norrisin kampion bote në Formula 1 u mbyll me një surprizë të hidhur. Piloti britanik nuk u përfshi në Listën e Nderimeve të Vitit të Ri, ku Mbretëria e Bashkuar shpërblen figurat që janë dalluar përmes arritjeve dhe shërbimit ndaj vendit gjatë vitit.

Për sportin britanik, dhe veçanërisht për Formula 1, kjo mungesë përbën një shkëputje të qartë nga tradita e viteve të fundit. Kampionët e mëparshëm si Damon Hill, Lewis Hamilton dhe Jenson Button u dekoruan me titullin MBE menjëherë pas fitimit të kampionatit të tyre të parë botëror. Hamilton, për më tepër, u nderua më vonë edhe me titull kalorësi për kontributin e tij përtej sportit, pas triumfit të shtatë në Formula 1.

Një përjashtim që bën zhurmë

Në listën e publikuar këtë vit, një nga emrat e lidhur me sportet motorike është Stuart Pringle, drejtuesi ekzekutiv i pistës së Silverstone, i cili u vlerësua me OBE për shërbimet e tij në këtë fushë. Mungesa e emrit të Norrisit, megjithatë, ka tërhequr vëmendjen, duke pasur parasysh peshën e titullit botëror që ai fitoi këtë sezon.

Nuk dihet ende se si e ka pritur vetë piloti vendimin e Mbretit Charles III dhe komisionit përkatës, por përjashtimi shihet si një goditje e fortë për 26-vjeçarin nga Glastonbury. Vetëm pak kohë më parë, Norris ishte shpallur Personaliteti Sportiv i Vitit në Mbretërinë e Bashkuar, duke u renditur përpara golfistit Rory McIlroy.

Kritika edhe brenda botës së Formula 1

Mungesa e vlerësimit zyrtar vjen në një moment kur Norris ka marrë edhe sinjale kontradiktore brenda vetë botës së Formula 1. Në renditjet e fundit për pilotët më të mirë të vitit 2025, të publikuara nga faqja zyrtare e Formula 1, ai u rendit pas Max Verstappenit nga shumica e drejtorëve të ekipeve, ndërsa edhe në votimin e kolegëve të tij, britaniku nuk arriti të kryesojë listën.

Një fundviti i pazakontë për kampionin e botës, i cili, pavarësisht triumfit historik në pistë, mbyll 2025-ën mes polemikave dhe zhgënjimit për mungesën e një njohjeje zyrtare nga vendi i tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB