Gjendja shëndetësore e Anthony Joshua raportohet se është më e mirë nga sa u mendua fillimisht, pas aksidentit të rëndë automobilistik në Nigeri që i mori jetën dy miqve të tij të afërt.

Boksieri i njohur britanik, 36 vjeç, ndodhet ende i shtruar në spital dhe pritet të qëndrojë edhe disa ditë nën kujdes mjekësor. Burime pranë tij kanë bërë të ditur se dëmtimet nuk janë aq serioze sa u frikësua në orët e para pas përplasjes, megjithatë Joshua po trajtohet në mënyrë private dhe me kujdes të shtuar.

Sipas mediave lokale, nëna e tij, Yeta Odusanya, ka udhëtuar me urgjencë drejt Nigerisë dhe ndodhet pranë djalit të saj në Spitalin Ndërkombëtar Duchess në Lagos, i njohur si një nga institucionet private më të mira shëndetësore në vend, me shërbim 24-orësh individual për pacientët.

Aksidenti ndodhi të hënën pasdite në autostradën Lagos–Ibadan, e konsideruar ndër më të rrezikshmet në Nigeri. Joshua po udhëtonte me një SUV Lexus të drejtuar nga shoferi i tij, kur automjeti u përplas me shpejtësi të lartë me një kamion të ndaluar.

Ndërkohë, mbetet e paqartë se çfarë pasojash fizike dhe psikologjike mund të ketë ky incident për kampionin dy herë të peshave të rënda. Janë ngritur pikëpyetje edhe mbi të ardhmen e tij në ring, veçanërisht në lidhje me spekulimet për një përballje të madhe financiare me Tyson Fury.

Më shumë detaje priten në ditët në vijim, ndërsa familja dhe fansat e Joshua shpresojnë për një rikuperim të plotë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB