Vlorë, vazhdon kriza e ujit/ Vijnë fashetat nga Turqia, por qyteti po shkon drejt ditës së pestë pa furnizim

29/12/2025 22:30

Vlora po shkon drejt ditës së pestë pa ujë. Deri në orët e vona të së hënës qyteti nuk ka pasur furnizim, ndërsa qytetarët shpresojnë që paraditen e së martës të mund të rikthehen normal.

Të hënën në mbrëmje mbërritën fashetat nga Turqia për riparimin e tubacionit kryesor, ndërsa punonjësit e Ujësjellës-Kanalizimeve do të punojnë gjithë natën për rregullimin e defektit.

Mësohet se nga tre fasheta të sjella, vetëm një do të përdoret për riparimin e tubacionit kryesor, ndërsa dy të tjerat do të ruhen për raste emergjence. Qytetarët protestuan dy ditë, të revoltuar nga mungesa e ujit.

Drejtuesit e shërbimit të ujësjellësit mohuan kategorikisht që dëmi të ketë ardhur nga gërmimet, ndërsa disa qytetarë pretendojnë se tubi është dëmtuar nga fadromat.

Kryebashkiakja e Vlorës deklaroi se defekti në linjën kryesore të transmetimit, që furnizon depot e qytetit, ka ardhur si pasojë e amortizimit të tubit dhe rrëshqitjes së dheut, duke e konsideruar situatën si fatkeqësi natyrore.

Prokuroria e Vlorës nuk ka nisur ende hetim për ngjarjen, e cila la mijëra qytetarë pa ujë të pijshëm.

Qytetarë të Vlorës po përballen me mungesë të ujit, situatë që solli protesta të vazhdueshme.

Mes tyre ka pasur edhe përplasje me policinë, pasi nuk po merreshin masat e nevojshme për rregullimin e situatës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB