Ceremonia e betimit të studentëve në Akademinë e Forcave të Armatosura, Begaj: Uniforma që vishni sot është simbol nderi, përgjegjësie dhe dinjiteti

29/12/2025 14:37

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i uroi sot suksese efektivë të rinj të Forcave të Armatosura në këtë rrugëtim fisnik, siç e quajti ai, për të qenë ushtarakë të denjë të Republikës së Shqipërisë.

Gjatë ceremonisë së betimit të studentëve në Akademinë e Forcave të Armatosura, Presidenti Begaj deklaroi, ndër të tjera, se efektivët e rinj përfaqësojnë shpresën, vazhdimësinë dhe forcën morale të institucionit të mbrojtjes.

Dukë sjellë në vëmendje strategun e ushtrisë amerikane, ish-Sekretarin e Shtetit, Colin Pawell, Presidenti Begaj i këshilloi të rinjtë se suksesi arrihet gradualisht dhe për këtë u shpreh se ata duhet të studiojnë dhe punojnë fort, të bëjnë më të mirën e mundshme dhe të mos reshtin se punuari, duke u treguar të tjerëve që e bëjnë mirë punën e tyre.

Uniforma që vishni sot është simbol nderi, përgjegjësie dhe dinjiteti. Ajo qëndron denjësisht përkrah uniformave të tjera të vendeve aleate në NATO dhe përfaqëson Shqipërinë në çdo mision, brenda dhe jashtë vendit. Shpreh bindjen se kjo uniformë do të shërbejë si busulla juaj morale dhe profesionale, në shërbim të paqes, sigurisë dhe lirisë”, – deklaroi Presidenti i Republikës.

Si Komandat i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Presidenti Begaj theksoi gjatë fjalës përshëndetëse të efektivëve të rinj se misioni i tyre shkon përtej profesionit, pasi është nder,  krenari dhe shërbim ndaj mbrojtjes së atdheut, garantimit të paqes dhe sigurisë.

Duke iu referuar situatave të ndërlikuara të sigurisë, Presidenti Begaj theksoi se paqja dhe siguria nuk mund të merren si të mirëqena dhe se ato janë vlera që duhen mbrojtur çdo ditë dhe kërkojnë përkushtim, vigjilencë e sakrificë.

Në këtë kontekst, Presidenti i Republikës vlerësoi se Forcat të Armatosura kanë dëshmuar profesionalizëm, besueshmëri dhe përkushtim ndaj NATO-s dhe paqes ndërkombëtare dhe Shqipëria ka kontribut aktiv në misione dhe operacione të NATO-s, Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara.

“Shqipëria do të vijojë rritjen e buxhetit të mbrojtjes jo vetëm për të përmbushur angazhimet ndaj Aleancës, por për të garantuar rritjen cilësore dhe të qëndrueshme të Forcave të Armatosura, sepse fuqia e një ushtrie nuk matet vetëm me pajisje apo numra, por, mbi të gjitha, me njerëzit që e përbëjnë, me brezat e rinj që i bashkohen asaj. Matet me ju.”, deklaroi Presidenti Begaj gjatë kësaj ceremonie. Ai theksoi se  “Akademia e Forcave të Armatosura ka një rol dhe përgjegjësi të madhe: përgatitjen e liderëve të rinj ushtarakë, të aftë për të përballuar mjedisin bashkëkohor të sigurisë dhe standardet e ndërveprueshmërisë me NATO-n”.

“Sistemi ynë arsimor ushtarak ka shënuar rritje të dukshme cilësore me rikthimin e Akademisë së mirëfilltë Ushtarake”, – theksoi Presidenti i Republikës, i cili, në fund të fjalës së tij, shprehu mirënjohje të veçantë për familjarët e ushtarakëve për sakrificën dhe dashurinë me të cilën i kanë brumosur të rinjtë dhe të rejat që bëjnë krenarë çdo shqiptar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB