Tronditëse në SHBA/ Dy helikopterë përplasen me njëri-tjetrin në New Jersey, një person humb jetën

28/12/2025 19:58

Një person ka humbur jetën dhe një tjetër është plagosur rëndë pas përplasjes së dy helikopterëve në ajër në jug të shtetit New Jersey, SHBA, të dielën, kanë bërë të ditur autoritetet.

Sipas Administratës Federale të Aviacionit (FAA), bëhet fjalë për një përplasje ajrore mes dy mjeteve fluturuese. Shefi i Policisë së Hammonton, Kevin Friel, deklaroi se shërbimet e emergjencës u njoftuan rreth orës 11:25 të paradites për një aksident ajror.

Forcat e policisë dhe zjarrfikësit mbërritën në vendngjarje dhe arritën të shuajnë flakët që kishin përfshirë njërin prej helikopterëve. Një person u konfirmua i vdekur në vend, ndërsa një tjetër u dërgua me urgjencë në spital në gjendje kritike, me rrezik për jetën.

Pamje video nga vendi i ngjarjes tregojnë një helikopter duke u rrotulluar me shpejtësi para se të binte në tokë.

FAA dhe Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB) janë njoftuar dhe kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit. Autoritetet ende nuk kanë dhënë detaje mbi identitetin e viktimave apo arsyet që çuan në këtë përplasje ajrore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB