Një ngjarje e rëndë është shënuar të shtunën në mbrëmje në spitalin Sant’Andrea në Romë, ku një pacient 43-vjeçar ka tentuar të vrasë shokun e tij të dhomës, një burrë 84-vjeçar.

Sipas mediave italiane, incidenti ndodhi në repartin e Gastroenterologjisë. 43-vjeçari, me origjinë indiane, dyshohet se ka humbur papritur kontrollin dhe, për shkaqe që ende nuk janë sqaruar, është hedhur mbi pacientin e moshuar, banor i Romës.

Burri ka nisur ta godasë me dhunë 84-vjeçarin me duar, ndërsa më pas ka tentuar ta mbysë teksa ai ndodhej i shtrirë në shtrat. Situata u vu nën kontroll falë ndërhyrjes së menjëhershme të stafit mjekësor, i cili u alarmua nga zhurmat që vinin nga dhoma dhe arriti të parandalojë pasoja më të rënda.

Pas mbërritjes së karabinierëve, 43-vjeçari ka reaguar me agresivitet edhe ndaj forcave të rendit, duke i shtyrë dhe duke plagosur disa prej tyre, në përpjekje për t’i rezistuar arrestimit.

Ai u arrestua dhe u transferua në burgun Regina Coeli në Romë, ku do të përballet me akuzat për tentativë vrasjeje dhe rezistencë ndaj forcave të rendit. Ndërkohë, autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e këtij akti të rëndë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB