Në arrest shtëpie nga GJKKO, Rama: Një akuzë e hatashme ndaj Karçanajt, gruas që ka udhëhequr jetësimin e vizionit tonë qeverisës

28/12/2025 12:03

Kryeministri Edi Rama, në podcastin e tij ‘Flasim’, ka komentuar drejtoreshën e AKSHI, Mirlinda Karçanaj, e cila është nën hetim nga SPAK dhe me masë sigurie.

Rama u shpreh se ndaj saj ka akuzë të hatashme, duke shtuar se duhet pritur që drejtësia të flasë për të, dhe jo ‘tenxheret e çorbës politike’. Sipas tij AKSHI nën drejtimin e Karçanajt ka bërë një punë të jashtëzakonshme.

“E di që sot AKSHI përballet me një hetim nga SPAKU për përdorimin e fondeve dhe Linda Karçanaj, gruaja që ka udhëhequr jetësimin e vizionit tonë qeverisës, për transformimin historik digjital te qeverisjes se Shqipërie, me dije, vullnet e përkushtim të përditshëm për 12 vjet me radhë, gjendet nën një mase sigurie me një akuze te hatashme, për të cilën duhet pritur me durim vetëm nga drejtësia, e s’mund të pritet asgjë nga 700 tenxheret e çorbës politike mediatike, që të dalë dalja deri në fund e vërteta e saj ciladoqoftë ajo.

Por unë di po ashtu, që falë saj dhe skuadrës së AKSHI-it, ku punojnë pa orar plot vajza e djem të talentuar të botës së re të teknologjisë, Shqipëria ka bërë një kapërcim të madh, krahasuar me vitin 2022 kur ka dalë raporti paraardhës i Bankës Botërore për qeverisjen digjitale.

Këtë herë, jo vetëm vijojmë të renditemi në Grupin A – i quajtur grupi me Maturitet të Lartë, ku kemi 0.939 pikë nga 1 që është maksimumi, por falë një rritjeje të ndjeshme, krahasuar me raportin paraardhës, ku kishim 0.752, këtë vit kemi kaluar nga vendi i 68-të në vendin e 14-të, mes gjithë atyre vendeve, duke lënë pas pikërisht falë punës e vullnetit për ta vënë teknologjinë e re në shërbim të publikut dhe të zhvillimit të Shqipërisë, vende me emër të madh, si Danimarka, Singapori apo Mbretëria e Bashkuar, e me radhë.

Ky është një raport objektiv dhe profesional, i cili vlerëson katër fusha kryesore, që mbulojnë sistemet bazë qeveritare, shërbimet publike online, angazhimin digjital të qytetarëve dhe faktorët mundësues institucionale e ligjorë, dhe pa diskutim nuk justifikon absolutisht asnjë shkelje të ligjit që pretendohet se ka ndodhur në aktivitetin e AKSH-it, gjë që mund të na e thotë vetëm procesi gjyqësor, por nga ana tjetër e gjithë zhurma histerike e 700 tenxhereve të çorbës politike mediatike, nuk e zhbën dot rezultatin fantastik të Shqipërisë, në këtë fushë të veprimtarisë së AKSHI-t”, tha Rama.

Drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj akuzohet për shkelje të barazisë në tendera publike e kryer në bashkëpunim dhe kryerje të veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal.

Gjykata Speciale kundër Krimit të Organizuar ka dhënë masë sigurie arrest shtëpie për Karçanajn, si dhe masë arrest me burg për dy biznesmenë E.A dhe E.B.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB