“Më ndihmo me ca para, e kam gruan pa bukë në shtëpi”, Hamdi Jupe rrëfen kërkesën e rrallë të Kadri Roshit nga shtrati i spitalit për Servet Pëllumbin

27/12/2025 20:53

Gazetari i njohur Hamdi Jupe ka rrëfyer një histori të rrallë nga jeta e tij kur shërbente si shef kabineti i kryetarit të Kuvendit, Server Pëllumbi.

Ai kujton një moment kur Pëllumbi i kishte kërkuar të përgatiste një vizitë te Kadri Roshi në spital.

Sipas Jupes, kur shkuan në dhomën e artistit të madh ky i fundit i kërkoi të rrinte disa momente vetëm me kreun e Kuvendit.

“Shpërblimi më i bukur i jetës sime

(ne vend te kartolinës së Vitit të Ri)

Në mëngjes më thirri Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Servet Pëllumbi në zyrë. Punoja si shef i kabinetit të tij.

– Do të shkojmë për vizitë në Spitalin Ushtarak. Atje është shtruar i sëmurë Artisti i Popullit Kadri Roshi. Ka qenë aktor i madh prandaj meriton respekt – tha ai.

U nisa para tij për të takuar drejtorin e spitalit me qëllim që të ishte aty kur do të vinte Kryetari. Eskorta me Pëllumbin mbërriti në orën e caktuar.

Hymë në dhomën ku ishte artisti. Me ne, edhe oficeri i eskortës. Aktori ishte sistemuar i vetëm në dhomë për të qenë i qetë nga pacientët e tjerë. Pak fjalë përshëndetëse me të dhe papritur ai na u drejtua neve:

– Ju lutem, dilni pak nga dhoma ju, se kam një muhabet vetëm me Servetin. – Ai po fliste sikur Kryetarin e Kuvendit ta kishte vëlla. U habitëm nga fjalët e aktorit dhe vështruam nga Kryetari. Mirë ne të tjerët, po edhe drejtori – mjek i spitalit, duhet të dilte jashtë nga dhoma e pacientit!?

– – Dilni, dilni – tha Kryetari. – Ne jemi burra të vjetër dhe kemi edhe ne sekretet tona. – Edhe për të ishte e papritur kjo kërkesë e aktorit, por nuk mund ta kundërshtonte.

Dolëm nga dhoma dhe po prisnim në korridor të habitur, derisa dera u hap dhe Kryetari na ftoi të hynim prapë.  Qëndruam ca kohë  aty, ndërkohë që Kryetari po bisedonte me aktorin dhe drejtorin për situatën e tij shëndetësore. Pastaj u kthyem në Kuvend.

Sapo kisha hyrë në zyrë, kur Kryetari më thirri të shkoja te zyra e tij. Më habiti kjo, sepse para pak minutash ishim bashkë në spital. Mos vallë kishte ndodhur ndonjë gjë e papëlqyeshme gjatë vizitës sonë atje (çështje protokolli) dhe tani po më thërriste për të më  tërhequr vërejten për “pakujdesi në detyrë”? U ulëm të dy në kolltukun e gjatë të zyrës së tij. Kryetari heshti për pak çaste, pastaj hapi gojën.

– E more vesh përse ju nxori artisti nga dhoma juve?

– Jo, nga ta merrja vesh?  – u përgjigja. – Ju e patë vetë atë që ndodhi, ne dolëm jashtë.

– Po – tha profesori, gjithnjë me një hije të rëndë trishtimi në fytyrë – Ai ju nxori juve jashtë  dhe atëherë, kur ngelëm vetëm,  më bëri mua një kërkesë të panatyrshme. – Kryetari mori frymë thellë, sikur të donte të thoshte diçka të rënde. – Më tha: “Të lutem, më ndihmo të gjej  ca para, se e kam gruan pa bukë në shtëpi. Nuk po pyes për veten time, se e di që do vdes, po kam hallin  e saj”.

U habita nga kërkesa e tij – vazhdoi Kryetari. – M’u duk sikur më ra tavani mbi kokë, por shpejt e mblodha veten. Mendova se një njeri në hall, mbi tetëdhjetë vjeç, i shtruar në spital në prag të vdekjes mund të bëjë edhe kërkesa të tilla.

Prandaj të kam thrirrur – vazhdoi. – Të shikosh se çfarë mund të bëjmë ne si Kuvend për të nxjerrë diçka, ndonjë fond të vogël, për të ndihmuar aktorin. Bisedo me ata të financave të Kuvendit dhe më sill një përgjigje.

Atij i takon pension i posaçëm si një artist i madh, dreqi ta hajë, dhe unë do merem me këtë çështje pranë qeverisë, deri sa ta zgjidh. Në këtë botë ka plot padrejtësi dhe një e tillë është edhe kjo me artistin Kadri Roshi.

Por ai është keq për bukë sot dhe kjo punë më ngeli mua në shpinë tani.  Me rrogën time po lajmë një kredi që kemi marrë për shtëpinë e re dhe nuk tepron gjë prej saj.

Më erdhi e papritur kjo kërkese e Kryetarit, prandaj thirra menjëherë në zyrë drejtoren e financave të Kuvendit  Dafinën, për të parë se çfarë mund të bënim për ta ndihmuar artistin. Ajo ishte një financiere e vjetër, e rrahur me vaj e me uthull për gati dyzetë vjet me financat e shtetit, prandaj vetëm ajo mund të gjente zgjidhjen e problemit.

– Para për aktorin!?  – pyeti ajo sapo hapa gojën për to. – Mos e diskuto! Nuk kemi asnjë hapësirë ligjore për të bërë një gjë të tillë. Është punë që s’bëhet.

A, po, ndryshe do të ishte puna, nëse artisti do të ishte ndonjë piktor i njohur dhe ne mund të blinim disa vepra arti të tij, për të zkukuruar mjediset e Kuvendit, se i kemi për ibret të zotit, pa një vepër arti në to. Po aktori … çfarë mund t’i blejmë ne atij? Asgjë.

– Po ti prit njëherë – i thashë. – Mos e thuaj fjalën e fundit në fillim. Kjo është porosi e Kryetarit, nuk është imja – Iu luta ta shikonte edhe një here me kujdes kërkesën, se nuk kisha çfarë përgjigje t’i jepja shefit që po më priste në zyrë për porosinë që më kishte dhënë.

Por ajo nuk luante nga e saja. U ngrit e doli nga zyra, duke më lënë me gisht në gojë, pa asnjë shpresë për atë që  kërkoja.

Ngela i vetëm dhe i çarmatosur në zyrë. Çfarë të bëja tani? Kur s’e zgjidh dot Dafina këtë punë, nuk e zgjidh dot askush tjetër. Vetë nuk kisha para, kisha dy fëmijët studentë në Itali.

Tani do të duhet të shkoja t’i jepja Kryetarit lajmin e keq, që Kuvendi nuk ka asnjë mundësi ligjore të nxirrte diçka për aktorin e madh në prag të vdekjes. Por nuk më bëhej të shkoja te ai me duar bosh, nuk më bëhej.

M’u faneps në mendje cironka e tharë në xhepin e poetit arbëresh Derada, në ditën e nisjes së tij për në parajsë. Ra zylja e telefonit të zyrës.

– Dafina jam – u dëgjua zëri i saj në anën tjetër të tij. – Në zyrë je? Dua të vij edhe një herë atje. – Çfarë lajmi tjetër të zi donte të më jepte tani femra me shpirtin prej akulli, me detyrën “gardiane” e financave publike të Kuvendit?

– Po hajde pra, në zyrë jam siç e sheh. Ti këtu ishe tani. – Ajo erdhi me një frymë. Pasi u mendua pak, hapi gojën:

– Shiko, ka vetëm një rrugë për të nxjerrë ca para nga arka e Kuvendit për artistin, por kjo bëhet vetëm me urdhër të Kryetarit.

– Natyrisht që me urdhër të Kryetarit do të bëhet, nuk do bëhet me urdhrin tim. Po cila është rruga? – e pyeta.

– Po ja, Kryetari ka të drejtë të të japë ty si shef i kabinetit dy rroga mujore shpërblim për punë “shumë të mirë” që ke bërë në shërbim të institucionit. Futja kot domethënë.

Ti pastaj i merr  ato para dhe ia çon artistit. Vetëm kjo është rruga ligjore. Duket si diçka që nuk shkon, e kuptoj, por bëj be që nuk ka asnjë rrugë tjetër të mundshme, asnjë rrugë tjetër.

– Ajo sikur u çlirua më në fund nga tensioni që e kishte pushtuar, pas asaj që tha. I kërkova të ma shpjegonte edhe një herë “zgjidhjen” e saj ligjore që ta kuptoja më mirë dhe ajo ma shpjegoi.

Nuk kisha bërë ndonjë punë “të shquar” për institucionin për të marrë shpërblim të veçantë, kisha bërë punën e zakonshme për të cilën merrja rrogën por…

Shkova te Kryetari dhe ia thashë “zgjidhjen”.

– Bëhet kjo punë? – pyeti.

–  Bëhet. Kështu thotë Dafina. – iu përgjigja.

– Epo mirë pra, ma sillni urdhrin ta firmos.

Bashkë me Dafinën formuluam urdhrin: “Në bazë të nenit kaq e aq … shpërblehet shefi i kabinetit (emri im) me dy rroga mujore për punë shumë të mirë në shërbim të Kuvendit të Shqipërisë. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë. Kryetari: Servet Pëllumbi.”

Ia çova urdhrin për firmë. E vulosa në protokoll dhe çdo gjë ishte gati. Mora paratë në llogari dhe ia çova artistit në spital. Kishte kaluar mesdita dhe ai ishte vetëm në dhomën e tij.

I dorëzova zarfin me “porosinë e Servetit” në dorë. Ai më falenderoi me lot në sy. Ishte një sasi parash sa për një “ngushullim” të çastit, të cilat nuk mund të zgjidhnin problemin e tij për gjatë.

Nuk dihej nëse artisti do të dilte më i gjallë prej andej. Drejtori i spitalit e kishte thenë ketë kur dolëm nga dhoma e të sëmurit. Merreni atë shtatore dhe kushtojani ndonjë ministri a deputeti që ka më shumë “merita”, duke e lënë Artistin e Popullit pa bukën e gojës në ditët e fundit të jetës së tij, në nisje të shekullit të njëzetenjëzetë.

Kisha frikë se mos në dhomën e tij hynte ndonjë nga ata që bëjnë “kontrolle të paautorizuara”, kur pacienti ishte në gjumë dhe atëherë na shkonte “shpërblimi” për dhjamë qeni. Ai tha se pasdite atje do të shkonte gruaja e tij dhe do t’ia jepte asaj zarfin.

U ktheva në institucion dhe i raportova Kryetarit për detyrën e kryer.

– Oh, ç’më ke shpëtuar nga një siklet shumë i madh! – tha i lehtësuar. Kryetari ishte te të shtatëdhjetat.

Urdhri për shpërblimin tim për punë “shumë të mirë” ndodhet në  arkivin e Kuvendit prej më shumë se njëzetë vjetësh. Është “shpërblimi” më i bukur i jetën sime.

Me firmën time në bordero ishte bërë e mundur të ndiheshin mirë për pak çaste dy njerëz të shquar të këtij kombi. Dëshmitare është Dafina, drejtorja “shpirtakull” e financave”, thuhet në postimin e plotë të tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB