Fiks Fare/ Bashkia Librazhd nuk zbaton vendimin e gjykatës, refuzon rikthimin në punë të ish-punonjëses Duken si një zgjidhje perfekte: qindra kanale televizive, filma pa fund, sporte “live” dhe gjithçka me një çmim qesharak. Por pas kësaj oferte joshëse fshihet një mashtrim i rrezikshëm që po prek mijëra konsumatorë shqiptarë.
Bëhet fjalë për dekodera IPTV pirate, të shitur në mënyrë të paligjshme nga individë apo subjekte fantazmë, madje edhe nga disa ofrues shërbimesh interneti. Pa licencë, pa kontroll dhe pa përgjegjësi, këto pajisje po përhapen masivisht përmes rrjeteve sociale dhe tregut informal.
Së fundmi, një aksion i gjerë i nga Drejtoria e Krimit Kibernetik pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë ka zbuluar një skemë mashtrimi ku disa subjekte përdornin në mënyrë të paligjshme edhe logon e kompanisë “DigitAlb”, duke përfituar shuma parash nga qytetarët. Hetimet tregojnë se programet televizive transmetoheshin pa licencë nga Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), duke i shkaktuar kompanisë një dëm të konsiderueshëm financiar.
Në kuadër të operacionit “Anti-Pirateria” janë ushtruar kontrolle ndaj shtatë subjekteve në Shkodër, Lezhë, Tiranë, Vlorë dhe Sarandë, ku janë sekuestruar pajisje për kodimin dhe shpërndarjen e paligjshme të kanaleve televizive, si dhe dekodera e pajisje të tjera elektronike.
Hetimet po vijojnë për veprat penale “Mashtrim kompjuterik” dhe “Shkelja e të drejtave të autorit”. Personat e përfshirë do të përballen me përgjegjësi penale sipas legjislacionit në fuqi.
Për konsumatorët, pasojat janë të drejtpërdrejta: në momentet më të rëndësishme sinjali ndërpritet, ekrani bëhet i zi dhe shitësi zhduket. Nuk ka kontratë, nuk ka faturë, nuk ka ankesë dhe as rimbursim.
Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu për rreziqe serioze sigurie, pasi disa nga këta dekodera mund të përmbajnë aplikacione të pasigurta që rrezikojnë të dhënat personale dhe rrjetin e shtëpisë. Përveç rrezikut financiar, ekziston edhe rreziku ligjor, pasi përdorimi i shërbimeve pirate e bën përdoruesin pjesë të një aktiviteti të paligjshëm.
Autoritetet e cilësojnë këtë fenomen si një mashtrim të organizuar, që shfrytëzon mungesën e informacionit dhe çmimet e ulëta. Apeli për qytetarët është i qartë: të shmangin burimet e dyshimta dhe të zgjedhin vetëm platforma të licencuara, me shërbim të sigurt dhe transparent.
Sepse ajo që nis si kursim, mund të përfundojë si mashtrim dhe humbje.
Top Channel