Debat i fortë në Greqi për lirinë artistike, ndërpritet koncerti për shkak të gjuhës së këngës

26/12/2025 08:36

Një incident me ngarkesë të fortë simbolike ka shkaktuar reagime të ashpra në qytetin e Follorinës, duke rihapur debatin për lirinë e shprehjes artistike dhe trajtimin e trashëgimisë kulturore shumëgjuhëshe të rajonit.

Mbrëmjen e së hënës, më 22 dhjetor, gjatë një aktiviteti festiv të organizuar nga bashkia, pak para ndezjes së ritualit tradicional të “zjarreve”, kryebashkiaku i Follorinës, Vasileos Gianakis, ndërhyri dhe ndërpreu koncertin e grupit të ri muzikor Banda Entopica, me arsyetimin se po interpretonin një këngë në gjuhën sllave.

Sipas ankesës së vetë grupit, ndërhyrja u shoqërua me fyerje verbale dhe presion të drejtpërdrejtë mbi skenë. Në një deklaratë publike, Banda Entopica thekson se muzika e tyre synon bashkimin e njerëzve dhe jo përçarjen. “Jemi njerëz nga vende, qytete dhe fshatra të ndryshme që mblidhemi për të kënduar, për të kërcyer dhe për të ndarë gëzim. Muzika është për unitet”, thuhet në reagimin e grupit.

Anëtarët e bandës denoncojnë se kryebashkiaku u është drejtuar me fraza si “unë ju paguaj” dhe “në qytetin tim nuk do të këndoni këngë të tilla”, ndërsa një person nga publiku u ngjit në skenë, duke shtyrë një nga muzikantët dhe duke kërcënuar se do të thërriste policinë.

Grupi nënvizon se nga rreth 2 mijë persona të pranishëm, vetëm një numër shumë i vogël reagoi negativisht, ndërsa shumica ishte aty për muzikën dhe festën. “Kërkojmë vetëm respekt për dinjitetin, artin dhe mundin tonë”, theksohet më tej, duke shtuar se do të vazhdojnë të interpretojnë këngë tradicionale të zonës, pavarësisht gjuhës.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta edhe në opinionin publik dhe në qarqet akademike. Kandidati për doktoraturë në Antropologji Politike në Universitetin e Maqedonisë Perëndimore, Vasilis Xhozis, e cilëson rastin si një akt “censure politike me petk nacionalist”, duke akuzuar kryebashkiakun se u soll si një “polici kulturore” që imponon heshtje mbi skenë. Sipas tij, incidenti pasqyron vështirësinë e shoqërisë greke për të pranuar realitetin historik dhe kulturor të një rajoni ku prej shekujsh bashkëjetojnë gjuhë dhe tradita të ndryshme.

Edhe në rrjetet sociale reagimet janë të shumta. Shumë përdorues theksojnë se këngë dhe valle tradicionale të Follorinës, Kosturit apo Gianitsës interpretohen pa problem në mbarë Greqinë dhe Ballkanin, ndërsa ndalimi i tyre në një festë lokale konsiderohet i papranueshëm. Nga ana tjetër, ka edhe zëra që përgëzojnë kryebashkiakun, duke argumentuar se qarqe nacionaliste në Maqedoninë e Veriut po përpiqen të promovojnë kulturën dhe gjuhën e tyre në këtë zonë të Greqisë, për të cilën kanë edhe pretendime territoriale.

Sipas pozicionit zyrtar të shtetit grek, në zonat e Prespës, Follorinës dhe Kosturit nuk njihet asnjë pakicë etnike kombëtare që, sipas pretendimeve të Shkupit, quhet “maqedonase”. Greqia nuk i njeh ligjërisht si grup etnik të veçantë folësit e dialekteve sllave, të cilët trajtohen si sllavofonë ose banorë dygjuhësh, të integruar brenda identitetit kombëtar grek.

Incidenti ndodhi vetëm pak ditë pas reagimeve të forta të Athinës ndaj kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Kristian Mickoski, i cili akuzohet se në praktikë ka rikthyer përdorimin e emrit “Maqedoni”, duke mos respektuar Marrëveshjen e Prespës.Krijo imazhin tënd të parëKe një ide? Provo një nga stilet tona të reja të kuruara dhe filtrat ose imagjino diçka nga zeroja.Provoje taniSkicëPortret pushimiDramatikPelushAnime retroFigurë e lëvizshme bejsbolliDoodle3D kukull glamBiskotë me sheqerObjektiv me kënd të gjerë dhe efekt sferikInkworkPop artZbukurimShkolla e artit

Top Channel

DIGITALB DIGITALB