Ushqime pa origjinë, kontrollet e AKU gjejnë mijëra kilogramë pa etiketë dhe përmbajtje, aksioni do të vijojë

25/12/2025 15:46

6 aksione nga AKU brenda 24 orëve janë përqendruar kryesisht në Tiranë, por edhe në pikat doganore.

Si rezultat i kontrolleve inspektorët e ushqimit kanë  bllokuar 5 ton djathë gouda, 944 kg fileto pule dhe 56 kg qumësht pluhur të shoqëruara me lëndë të pare për  pastiçeri, si dhe 27 kg proshutë.

Asnjë prej këtyre produkteve nuk kishte fletë origjine, etiketë të ushqimit që të tregojë përmbajtjen e produktit, dhe jetëgjatësinë e tij. Ndaj operatorëve të biznesit AKU zbatoi masën administrative me gjobë.

Ligji i etiketimi e “ produkteve ushqimore”  nuk respektohet as nga produktet e prodhimit vendas, dhe as nga ato të importit, të cilat sipas rregullit çdo produkt që futet në Shqipëri duhet të shoqërohet me fletëanalizën dhe përkthimin e etiketës së produktit, pasi mungesa e këtyre të dhënave vë në diskutim sigurinë ushqimore.

“Neni 13 Gjuha. Për produktet ushqimore të importuara, të dhënat për emërtimin e produktit, karakteristikat e tij (natyrën, vetitë, përbërjen etj.), mënyrën e përdorimit, kushtet e ruajtjes, datën e fundit të përdorimit, si dhe emrin dhe adresën e importuesit duhet të jepen në gjuhën shqipe, në etiketën origjinale ose kundër etiketë”.

Ndërsa në pikën doganore të Tiranës janë bllokuar 23 ton 125 kg ushqim për peshqit  nga Serbia. AKU vendosi që kjo sasi produkti të kthehej në orgjinë, pasi rezultoi se kishte skaduar 6 muaj më parë.  Ky ushqim ishte porositur nga një kompani peshkimi që do të përdorej për peshqit e rezervuarit.

Ndërkohë burime të sigurta për Top Channel thonë se ministri i bujqësisë Andis Salla, prej disa ditësh ka urdhëruar që AKU të ushtrojë kontroll në të gjitha subjektet e Tiranës që kanë risk të lartë si për shëndetin e njeriut.

Kështu nën lupën e inspektorevë të ushqimit do të jenë pjesë: magazinat frigoriferike, stabilimentet e përpunimit të mishit, fabrikat e qumështit, prodhuesit e akullores, thertoret, dhe ushqimi sociale që shkon në kopshtet dhe çerdhet e kryeqytetit.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB