“Shpresë për ata që kanë nevojë”/ Fondacioni “Dritan Hoxha” dhe Top Channel në krah të fëmijëve me spektrin autik

25/12/2025 13:16

Fondacioni “Dritan Hoxha” në bashkëpunim me Top Channel, tashmë në një traditë që vijon prej disa vitesh, në prag të Krishtlindjeve solli dritë dhe shpresë ndaj atyre që kanë më së shumti nevojë.

Së bashku organizuan një festë dhe shpërndanë dhurata për fëmijët me çrregullime të spektrit  autik në një nga qendrat në Tiranë duke krijuar momente të veçanta festive mes fëmijëve dhe familjarëve të tyre.

Shumë nga prindërit të cilët kanë fëmijë me çrregullime të spektrit autik përballen njëkohësisht dhe me vështirësi financiare, pasi terapitë janë të kushtueshme dhe zgjasin me vite. Në Shqipëri, fëmijët me çrregullime të spektrit të autizmi diagnostikohen shumë vonë duke bërë që terapitë t’i fillojnë me vonesë, çka vështirëson ecurinë e zhvillimit të tyre.

“I jemi shumë mirënjohës fondacionit Dritan Hoxha, ju falënderojmë pafund për të gjithë vëmendjen ndaj këtyre fëmijëve, për gëzimin që keni sjell në sytë e tyre jo vetëm në këto ditë festash, por gjithashtu me mundësimin e terapive falas të cilat janë të domosdoshme që këta fëmijë të përfshihen në shoqëri. Ju jemi absolutisht shumë mirënjohës dhe madje duam t’ju bëjmë një thirrje të gjithë atyre që duan të na bashkohen në këtë kauzë, të bëjmë të gjithë së bashku të mundur ofrimin e terapive falas sepse janë vërtet një kategori qe kanë nevojë për ndihmë nga të gjithë ne”, u shpreh drejtuesja e qendrës Anxhela Kryeziu.

Edhe pse këta fëmijë vuajnë nga çrregullimet të spektrit të autizmit, kjo nuk i ka penguar të ndjekin pasionet dhe të angazhohen me moshatarët e tyre. Ata mundohen të shijojnë çdo moment festiv me energji dhe gëzim dhe falin shumë dashuri.

Që prej vitit 2010, Fondacioni “Dritan Hoxha”, krahas përmbushjes së misionit në fushën e medias, artit e kulturës, ka kontribuar edhe në çështje sociale që prekin familje apo grupe vulnerabël në nevojë, duke përçuar tek ta lehtësim, gëzim dhe shpresë për ditë më të mira.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB