Në prag të Krishtlindjes, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, u zhvilluan sot shërbesat e shenjta, përfshirë mëngjesoren dhe Orët e Mëdha të Krishtlindjes.
Fëmijët dhe të rinjtë e presin Krishtlindjen me kolendrat, kënge festive, që sjellin lajmin gazmor të lindjes së Jezu Krishtit.
Krishtlindja vjen pas një Kreshme 40 ditore nga besimtarët.
“Tani ka arritur kulmi i ditëve të përgatitjes sepse përgatitjet kanë nisur që në 15 nëntor, ku të gjithë besimtarët ortodoksë fillojnë kreshmën e Krishlindjes. Përgatitemi sidomos nga ana shpirtërore me studimin e librit të shenjtë, me lutje, me vepra bamirësie”, u shpreh Ana Baba .
Krahas shërbesave dhe liturgjive, amvisat përgatiten për drekën e 25 dhjetorit, që mbledh bashkë të gjithë familjen.
“Të jetë dashuria, paqja, komunikimi dhe tryeza e mbyshur plot. Krishtlindja është festa e të gjithëve, Zoti na dhëntë të gjithëve një zemër të gëzuar”, tha Ana Baba.
Por, shpirti i Krishtlindjes është mbi të gjitha solidaritet me më të dobëtit dhe më të varfrit.
“Qëllimi i kësaj feste është dashuria për familjen dhe njerëzit më të afërt. Ndjekim shërbesat, ndërsa shumë e rëndësishme është të ndihmojmë njerëzit e tjerë. Mezi presim ditën e nesërme, që është lindja trupore e Jezu Krishtit”, tha Alesia Pepa.
Këtë mesazh theksoi kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Kryepeshkopi Joan, në urimin e parë të Krishtlindjes, duke i ftuar besimtarët që gjatë ditëve festive të përjetojnë më thellë shenjtërinë dhe madhështinë e dhuratës hyjnore.
“Për të festuar shpirtërisht Lindjen Krishtit, le të kujdesemi gjatë këtyre ditëve festive të përjetojmë më thellë shenjtërinë dhe madhështinë e kësaj dhurate hyjnore. Këtë mund ta realizojmë duke e pastruar zemrën tonë nga çdo ligësi dhe duke e mbushur atë me dashuri dhe përulësi ndaj të gjithë njerëzve, sidomos ndaj atyre që janë në nevojë. Vetëm duke bërë këto, Krishtlindja do të ketë kuptim të vërtetë dhe gjithçka te ne do të ndriçohet nga Fjala e bërë mish”, tha Kryepeshkop Joani .
Top Channel