Universitetet, 10 mijë vende bosh/ Raporti i QSHA: Studentët me mesataren më të lartë zgjedhin privatet

24/12/2025 19:45

Raporti më i fundit i Qendrës së Shërbimeve Arsimore ka analizuar universitetet për vitin akademik 2024–2025.

Në nivel kombëtar, rezulton se studentët e regjistruar në universitete private kanë mesatare më të lartë se studentët e regjistruar në IAL publike. Ndërsa vetëm 66.92% e totalit të kuotave janë plotësuar me regjistrime, çka tregon se nga 32 177 vende në auditorë, më shumë se 10 mijë prej tyre kanë mbetur bosh.

Nga përpilimi i statistikave del në pah se ekselentët përbëjnë vetëm 8.6% të studentëve të regjistruar. Në krahasimin gjinor dhe të urbanizimit konstatohet se femrat kanë notë mesatare më të lartë se meshkujt dhe studentët e qytetit kanë performancë më të mirë akademike se ata të fshatrave.

Nga 593 programe studimi në rang vendi, 5 prej tyre janë më të kërkuarat, ku nuk mbetet asnjë vend i lirë. Konkretisht, bëhet fjalë për Mjekësinë e Përgjithshme në Universitetin e Mjekësisë, më pas renditen Financa, Infermieria e Përgjithshme, Informatika Ekonomike dhe Informatika nga Universiteti i Tiranës.

Nga numri total i studentëve të regjistruar në vitin e shkuar, prej 21 547 regjistrimeve, vetëm 6.53% i përkasin programeve që profilizohen në mësuesi. Pra, studimi i Ministrisë së Arsimit vërteton problematikën e rënies së interesit të të rinjve për profesionin e mësuesit.

Për të analizuar cilësinë e studentëve të regjistruar, duke theksuar se kriteri i notës mesatare minimale është më i lartë, 7.5, krahasuar me 6.5 në programet e tjera të ciklit të parë, mesatarja e të gjithë të regjistruarve në programet e mësuesisë është 7.91. Studentët më cilësorë të mësuesisë janë regjistruar në programin e studimit Informatikë të Universitetit të Tiranës, ndërsa mesatarja më e ulët konstatohet në Gjeografi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB