Ulliri i Cakranit nuk po shitet, fermerët: Po prodhojmë vaj me cilësi, por nuk ka treg

24/12/2025 13:37

Në Cakran të Fierit, një nga zonat më të njohura për numrin e lartë të pemëve të ullirit, janë ditët e fundit të vjeljes dhe përpunimit të ullirit.

Fermerët thonë se prodhimi ka qenë i pakët, por pavarësisht sasisë së ulët, vaji i prodhuar është cilësor.

Shqetësim për ta është mungesa e fuqisë blerëse.

“Kemi investuar në pajisje të reja për të prodhuar një vaj sa më cilësor dhe për të pasur një treg të sigurt në eksporte, por ky sezon ishte i dobët. Përveç kushteve të pafavorshme atmosferike, ka ndikuar edhe mungesa e kujdesit ndaj pemëve, pasi fermerët prej dy vitesh nuk arrijnë të shesin vajin dhe nuk kanë të ardhura për të shërbyer ullishtet”, u shpreh një përpunues.

Edhe fermerët thonë se çmimi me të cilin po shesin vajin e ullirit nuk mbulon as kostot e prodhimit.

“Këtë vit prodhimi është shumë i dobët dhe çmimi është i ulët. Me 6 mijë lekë për litër nuk ka interes, sepse kostot janë të larta dhe nuk nxjerrim dot shpenzimet. Shumë fermerë janë drejt braktisjes”, u shpreh një fermer.

Fermerët e Cakranit, të cilët e kanë ullishten burimin e vetëm të jetesës, kërkojnë ndërhyrje përmes subvencioneve dhe ngritje të pikave të grumbullimit, në mënyrë që të sigurohet një treg i qëndrueshëm për prodhimin e tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB