Venezuela akuzon SHBA-në për shantazh, Kina dhe Rusia i dalin në mbrojtje: ‘Sjellje gangsterësh’, çdo shtet ka të drejtë të mbrojë sovranitetin e tij
Viti 2026 po shfaqet si një moment kyç për rendin botëror, me përplasje të mëdha gjeopolitike, konflikte të ngrira që rrezikojnë të përshkallëzohen dhe teknologji që po ndryshon balancat e fuqisë.
Pas një viti 2025 tejet transformues, bota hyn në një fazë ku disa dosje të mëdha mund të marrin drejtim përfundimtar.
Venezuela, përballje e rrezikshme
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur praninë më të madhe ushtarake në Karaibe që nga kriza e raketave kubane. Administrata Trump po ndërmerr goditje kundër trafikantëve të drogës dhe ka shpallur bllokadë ndaj eksporteve ilegale të naftës venezueliane. Në sfond qëndron synimi për largimin e presidentit Nicolas Maduro. Fati i tij në vitin 2026 do të tregojë nëse SHBA është e gatshme të përdorë forcën për të imponuar dominimin në hemisferën perëndimore.
Ukraina, lufta hyn në vitin e pestë
Në shkurt, lufta e Rusisë kundër Ukrainës hyn në vitin e pestë. Megjithë humbjet e rënda, Vladimir Putin nuk po tërhiqet. Presidenti Trump po përpiqet të ndërmjetësojë një marrëveshje paqeje, por refuzimi i Moskës mund ta çojë Uashingtonin drejt një dileme: të rrisë presionin ndaj Rusisë apo të zvogëlojë mbështetjen për Kievin. Vendimet e vitit 2026 mund të jenë përcaktuese.
Tajvani, në qendër të lojës së madhe
Tajvani mbetet një nga pikat më të rrezikshme të globit. SHBA ka miratuar paketën më të madhe të armëve ndonjëherë për ishullin, ndërsa Kina përgatitet për një skenar ushtarak deri në vitin 2027. Samiti i pritshëm Trump–Xi në Pekin do të jetë kritik dhe mund të përcaktojë nëse Tajvani do të mbetet i mbrojtur apo do të bëhet objekt kompromisi mes fuqive të mëdha.
Izraeli, zgjedhje vendimtare
Pas suksesesh ushtarake, Izraeli përballet me paqartësi politike. Zgjedhjet parlamentare të vitit 2026 mund të sjellin një qeveri më të gjerë dhe më pak ekstreme, çka do të hapte rrugën për marrëveshje të reja rajonale, përfshirë zgjerimin e Marrëveshjeve të Abrahamit. Në të kundërt, ngërçi aktual rrezikon të bllokojë çdo përparim diplomatik.
Irani, një regjim nën presion
Irani hyn në vitin 2026 i dobësuar: aleatët rajonalë janë shkatërruar, mbrojtja ajrore është goditur dhe udhëheqja përballet me krizë pasigurie për pasardhjen e Ajatollah Khameneit. Një regjim i dobët mund të shpërthejë nga brenda ose të reagojë me sulme të rrezikshme jashtë vendit.
Terrorizmi, rikthim i rrezikshëm
Pas viteve në rënie, sulmet terroriste po shtohen sërish në mbarë botën. Nga Australia te SHBA dhe Siria, rrjetet ekstremiste po rigrupohen. Viti 2026 pritet të testojë seriozisht aftësinë e shteteve për bashkëpunim në siguri dhe kundër radikalizmit.
Inteligjenca artificiale, gara vendimtare
AI është kthyer në arenën kryesore të rivalitetit SHBA–Kinë. Përparimet e shpejta kineze kanë tronditur bindjen për epërsinë amerikane, ndërsa debatet për energjinë, eksportet dhe rregullimin po ashpërsohen. Në 2026, inteligjenca artificiale pritet të ndikojë drejtpërdrejt jo vetëm ekonominë, por edhe sigurinë globale.
*Nga Karaibet te Paqësori, nga fushëbetejat tradicionale te lufta teknologjike, viti 2026 po shihet si një pikë kthese. Vendimet që do të merren në këto fronte mund të përcaktojnë balancën e fuqisë botërore për dekadën që vjen.
Top Channel