Ndotja e lumit Drinos, rënia e nivelit të ujit tregon gjendjen alarmante të mbetjeve të akumuluara

24/12/2025 13:25

Ky është shtrati i lumit Drinos në Gjirokastër, siç e shikoni plot me mbeturina.

Rënia e nivelit të ujit ka nxjerrë në pah një ndotje të rëndë, duke zbuluar një masakër mjedisore të akumuluar prej vitesh. Plastikë, qese, mbetje urbane dhe materiale të tjera të ngurta janë të shpërndara përgjatë gjithë shtratit të lumit.

Situata bëhet edhe më alarmante kur merret parasysh fakti se Drino derdhet në Vjosë, një nga lumenjtë e fundit të egër në Europë, Park Kombëtar dhe pasuri natyrore me rëndësi ndërkombëtare. Kjo ndotje nuk mbetet vetëm problem lokal.

Vetëm pak kohë më parë, Kroacia ka ngritur zyrtarisht shqetësimin për ndotjen e Adriatikut, duke paralajmëruar se do të ndjekë rrugë ligjore ndaj vendeve që ndotin detin përmes lumenjve, përfshirë ato që derdhen nga territori shqiptar. Në këtë kontekst, ndotja e Drinos dhe Vjosës merr një dimension të ri, duke e vendosur Shqipërinë përballë një rreziku real diplomatik dhe ligjor.

Ekspertët e mjedisit theksojnë se pa ndërhyrje urgjente për pastrimin e shtratit të lumit dhe pa monitorim të vazhdueshëm të ndotjes, dëmi mund të përhapet nga lumenjtë drejt detit, me pasoja për ekosistemin, turizmin dhe imazhin ndërkombëtar të vendit.

Banorët dhe ambientalistët kërkojnë masa të menjëhershme, duke paralajmëruar se mbrojtja e Vjosës nuk mund të jetë vetëm në letër, nëse degët e saj vazhdojnë të shndërrohen në landfille të hapura.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB