Tragjedi në Mal të Zi, humb jetën futbollisti gjerman, ra nga kabina e teleferikut nga një lartësi 70 m
Pas një periudhe të vështirë, te Napoli kthehet qetësia, ndërkohë që drejtuesit e klubit kanë vendosur të blindojnë trajnerin Antonio Conte.
Sipas asaj që publikohet në dy të përditshme italiane ‘Il Mattino’ dhe ‘La Repubblica’, presidenti i skuadrës kampione të Italisë, Aurelio De Laurentiis ka bërë gati rinovimin për trajnerin italian deri në 2029, ndërkohë që kontrata aktuale skadon në vitin 2027.
Gjithsesi në këtë pikë duhet të kuptohet edhe vullneti i palës tjetër, dmth e trajnerit Conte. Sigurisht nga humbja me Bolognën në kampionat deri te fitorja në finalen e Superkupës ndaj së njëjtës skuadër duket sikur ka kaluar një shekull mes pakënaqësive, punës dhe zërave për largim. Në të vërtetë, De Laurentiis gjithnjë e ka mbrojtur Conten dhe pas finales në Riad pohoi edhe njëherë se sa thelbësore ishte puna e trajnerit.
Por tani lind pyetja: A do Conte të qëndrojë te Napoli? Historia e tij flet se vetëm në një rast duke përfshirë edhe Kombëtaren italiane, ka qëndruar në një skuadër për më shumë se 2 vjet; te Juventusi në periudhën 2011-2014. Herët e tjera, gjithnjë e ka mbyllur më shpejt aventurën e tij me skuadrat që ka drejtuar. Ka nga ata që thonë se Conte ka dëshirë që të rimarrë vendin e trajnerit të Italisë pas Botërorit, gjithnjë nëse Të Kaltrit do të kualifikohen. Por gjithsesi fillimisht do të shihen rezultatet që do të arrijë kombëtarja italiane me Gattuson në stol. Nëse Italia do të kualifikohet në Botërorin 2026 dhe do të arrijë të paktën në çerekfinale, do të jetë e vështirë për Federatën që ta largojë Gattuson.
Por këto janë skenarë që ende duhen vlerësuar. I sigurt është fakti, që Conte pavarësisht se është antipatik për shumë persona, është një prej trajnerëve më të mirë në botë. Rezultatet flasin për të dhe këtë sezon duke marrë parasysh se ka një skuadër të vështirë për ta mbledhur, dëmtimet e njëpasnjëshme dhe humbjet e vështira për t’u kapërdirë, po tregon se është vërtet një trajner që di të gjejë zgjidhjen më të mirë edhe në mes të vështirësive të mëdha.
Sigurisht në dispozicion ka një grup lojtarësh të nivelit të lartë dhe në Riad, ai shkoi pa De Bruyne, Anguissa, Meret e Gilmour, ndërsa Lukaku vetëm sa i ndoqi nga pankina shokët e tij të skuadrës. Ka ndryshuar sistemin e lojës të paktën 3 herë që nga fillimi i sezonit gjithnjë duke e përshtatur me lojtarët që kishte në dispozicion. Për më tepër, vetë futbollistët kanë shprehur publikisht vlerësimin maksimal për të sic ishte rasti i Politanos në Riad. Kështu që është normale që De Laurentiis kërkon ta blindojë trajnerin, ajo që duhet kuptuar është nëse edhe vetë Conte dëshiron të blindohet apo jo.
Top Channel