Ipeshkvijtë e Kishës Katolike ndajnë urimin e përbashkët për besimtarët shqiptarë: Krishtlindja na kujton që zoti është pranë nesh

24/12/2025 14:50

Ipeshkvijtë e Kishës Katolike në Shqipëri kanë ndarë një mesazh të përbashkët për festën e Krishtlindjes.

Imzot Gjergj Meta, Ipeshkëv i Rrëshenit, Imzot Giovanni Peragine, Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pultit, Imzot Arjan Dodaj, Arqipeshkëv Metropolit i Tiranë-Durrës dhe Imzot Otavio Vitale, Ipeshkëv i Lezhës ndanë në mediat sociale një videomesazh të përbashkët ku iu uruan besimtarëve katolikë shqiptarë një Krishtlindje të begatë e plot mbarësi.

Mesazhi i plotë:

“Të dashur vëllezër e motra këtë urim të Krishtlindjes duam t’jua bëjmë së bashku të gjithë Ipeshkvijtë e Shqipërisë. Do kishim dashur që në këtë urim të ishte pjesë edhe imzot Simon Kulli, por jemi të sigurt se ai na i uron Krishtlindjet nga qielli dhe lutet për ne. Secili nga ne ka një fjalë për t’iu drejtuar popullit të zotit që është në Shqipëri”, u shpreh Imzot Gjergj Meta, Ipeshkëv i Rrëshenit.

“Me rastin e festës së Krishtlindjes së bashku me vëllezërit e mi Ipeshkvij dëshiroj t’iu drejtoj të gjithëve një lajm shprese, një shpresë që buron nga misteri që po kremtojmë, zoti u bë njeri dhe banoi ndër në. Por Krishtlindja na kujton që zoti është pranë nesh, ai hyn në jetën tonë të përditshme dhe bëhet i pranishëm veçanërisht atje ku ka vështirësi, pasiguri dhe vuajtje, të kremtosh Krishtlindjen do të thotë të ndihesh në praninë e zotit, por njëkohësisht edhe ta komunikosh këtë prani te të tjerët. Mos të mundohemi të mendojmë vetëm për veten, mos të mundohemi vetëm të marrim, por edhe të japim, mos të kërkojmë të fitojmë gjithçka për vete, por të hapim dyert e zemrat tona ndaj të tjerëve, vetëm ashtu Krishti do të lindë e do të qëndrojë gjithmonë në zemrën tonë”, tha Imzot Giovanni Peragine, Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pultit.

“Populli që ecën në errësirë, pa një dritë të madhe e mbi këtë luginë të errët shndriti drita e fuqishme, ‘E ke shumuar gëzimin, e ke rritur harenë’, kështu thotë profeti Isai në kapitullin e 90-të. Kjo është përvoja e krishtlindjes, përvoja e daljes nga një errësirë, një errësirë që e prek njeriun deri në misterin e fundit, të pakapërcyeshëm, për atë që është misteri i vdekjes. Por ne e dimë që në fe kjo dritë, shndrit. E zoti nëpërmjet ofertës së tij shndrit në jetën tonë, e përballë këtij grazhdi në Betlehem ku jemi të ftuar të ftuar të gjithë të kremtojmë e të festojmë, të sodisim këtë zot që shndrit në errësirat e ekzistencës tonë. Të bëjmë që edhe kisha jonë të mbushet me frymën e shenjtë të Jezuzit, populli të dalë nga fryma e errët e çdo distance, çdo shkurajimi, çdo mungese shprese”, ishte mesazhi i Imzot Arjan Dodajt, Arqipeshkëv Metropolit i Tiranë-Durrës për këto Krishtlindje.

“Të dashur vëllezër e motra jam i lumtur t’iu drejtohem të gjithëve me rastin e Krishtlindjes së shenjtë, festë që kisha kremton çdo vit duke përkujtuar lindjes e zotit tonë Jezus Krishtit. Të begatisim familjet tona, ta pranojmë me lutje dhe me gëzim atë që po vjen, shëlbuesi ynë, zoti me në. ‘Ndryshoni e kthehuni tek unë’, thotë zoti, ja lajmi që na jepet në këtë Krishtlindje të shenjtë. Si mund të gëzohemi në lajmërimin e engjëllit që sjell lajmin e gëzueshëm të lindjes së zotit të paqes nëse ne nuk jemi njerëz të paqes, si mund të themi që e duam zotin dhe e bëjmë vullnetin e tij nëse nuk jemi të gatshëm të falim atë që na bën një ofendim,  ky zot i paqes që po vjen, ka vdekur për ne dhe për mëkatet tona, për të na pajtuar me atin”, përmbylli Imzot Otavio Vitale, Ipeshkëv i Lezhës.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB