Fshati i braktisur në Lunxhëri, banorët e mbetur në Dhoksat: Nuk ka më të rinj, projekti “100 fshatrat” nuk solli asgjë

24/12/2025 13:30

Dikur një nga fshatrat më të gjallë të Lunxhërisë, Dhoksati i Gjirokastrës po përjeton sot një boshatisje dramatike.

Para disa vitesh, në këtë fshat jetonin rreth 150 familje, ndërsa sot numërohen vetëm rreth 30 familje, kryesisht të moshuar, të mbetur mes shtëpive të mbyllura dhe rrugëve të zbrazëta.

Emigracioni masiv, mungesa e punësimit dhe e shërbimeve bazë kanë bërë që të rinjtë të largohen, duke e lënë fshatin pa jetë. Rrugët janë bosh, shtëpitë të braktisura dhe aktiviteti ekonomik pothuajse inekzistent.

Ironikisht, Dhoksati është pjesë e projektit qeveritar “100 Fshatrat”, një program i shpallur si model i zhvillimit rural dhe ringjalljes së jetës në zonat e thella. Por në terren, banorët thonë se nuk është realizuar asnjë investim konkret.

Nuk ka përmirësime infrastrukturore, nuk ka projekte për zhvillim ekonomik dhe as mbështetje reale për agroturizëm apo bujqësi. “Fshati është futur në listë, por vetëm në letër,” shprehen banorët, të cilët çdo ditë përballen me mungesën e shpresës për ndryshim.

Programi ‘100 Fshatrat’ për Dhoksatin ka mbetur veç një premtim, ndërsa fshati vazhdon të shuhet ngadalë. Ndërsa në dokumente flitet për ringjallje të fshatrave, në Dhoksat realiteti është krejt ndryshe: një fshat që po zbrazet dhe një komunitet që po harrohet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB