“Poeti Laureat”, Qendra Kombëtare e Librit shpall poeten Rita Petro

23/12/2025 15:45

Rita Petro u shpall “Poeti Laureat” nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.

Në edicionin e tretë të këtij çmimi që synon ta kthejë në traditë, juria e kryesuar nga Primo Shllaku përzgjodhi Petron për këtë titull që i jepet një shkrimtari me kontribut të spikatur në fushën e poezisë për një mandate dy vjeçar.

Primo Shllaku, kryetari i jurisë për “Poetin Laureat”, u shpreh “Rita Petro e filloi veprimtarinë e saj krijuese pas ndryshimit të sistemeve dhe që atëherë, ajo ka qenë aktive, prodhimtare, madje dhe befasuese me krijimet e saj. Rita Petro hyri në letërsi me krijime provokuese, si pjesë e atij brezi që kërkonte ndjeshmëri”.

Këtë vit, si kriter i shtuar kërkohej që laureati ta ushtrojë veprimtarinë artistike në vendin tonë, me qëllim komunikimin e drejtpërdrejtë me lexuesin.

Teksa pranoi çmimin, Rita Petro prezantoi për herë të parë një program përmes të cilit poezia bashkëkohore mund të shkojë më pranë lexuesit. Duke e cilësuar këtë titull jo si një kurorë dafinash, por si mision për të mbajtur gjallë poezinë, Petro premton të punojë drejtpërdrejtë me nxënës dhe student.

Sidomos poezia bashkëkohore ka nevojë që të shkojë te lexuesit e moshave të ndryshme, veçanërisht te të rinjtë. Si mundet ne të ngjallim bashkëbisedimin për poezinë, sepse poezia nuk është diçka elitare, mendoj që poezia është një armë e fuqishme që mund të shkojë shumë mirë qoftë në një takim poezie, qoftë në një takim dashurie, qoftë në një protestë. Tani që shumë njerëz shkruajnë duhet të bëhet dallim midis atij që shkruan për qejf dhe atij që përcjell vlerën e poezisë”, u shpreh Rita Petro.

Poetja kërkon bashkëpunim me shkollat, bibliotekat e qyteteve për të krijuar dialog dhe për të pasur hapësirat e nevojshme për poezinë.

Mund të bëhet nëpërmjet projekteve dhe kurseve të hapura….”, shtoi Petro.

Poeti Laureat është një titull që e ka origjinën që në mesjetë, kur poetët më të talentuar kurorëzoheshin me dafinë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB