SHBA-ja mbërthehet nga supergripi, po përhapet ‘frikshëm’ në Nju Jork

22/12/2025 20:43

Ekspertët amerikanë thonë se një virus, i cili shkakton atë që po quhet super gripi, po përhapet gjerësisht në të gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, teksa vaksinimi ndaj këtij varianti nuk është i përfshirë në vaksinën kundër virusit këtë vit.

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA njoftoi se shkalla e shtrimeve në spitalet e vendit u rrit me 14.3% që nga e premtja. Zyrtarët e shëndetit publik, sipas mediave amerikane, thonë se gripi po përhapet veçanërisht shpejt në Nju Jork, Luiziana dhe Kolorado.

Nju Xhersi dhe Rod Ajlend po shohin gjithashtu nivele të larta të rasteve të të gripit, sipas të dhënave të mbledhura që nga 13 dhjetori. Në Xhorxhia, Nju Meksiko, Ajdaho, Miçigan, Karolinën e Veriut dhe të Jugut, Masaçusets, Konektikut, Merilend dhe Uashington D.C. është rritur numri i vizitave në spitale nga pacientët me simptomat e gripit.

Mes kësaj periudhe të fundvitit dhe deri në fund të sezonit të gripit, në shkurt, sëmundja do të përhapet në çdo shtet në shkallë të ndryshme, thonë ekspertët. Në analizat që janë bërë për supergripin rezultoi se 90% e viruseve të gripit A ishin pozitive për llojin e ri. Vaksina kundër gripit këtë vit nuk e mbulon gripin A, që sjell numrin më të madh të vdekjeve te të moshuarit. Megjithatë, ekspertët thonë se ia vlen të bëhet vaksina e zakonshme për të lehtësuar simptomat.

Këto të fundit përfshijnë ethe, të dridhura, kollë, dhimbje fyti, hundë që rrjedh, dhimbje muskujsh dhe koke, lodhje dhe herë pas here të vjella ose diarre, sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Teksa shumica e njerëzve e marrin veten brenda disa ditësh ose disa javësh, disa ndërlikime, si pneumonia, mund të jenë vdekjeprurëse.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB