Kina godet produktet e qumështit evropian, tarifa deri në 42.7% për importet nga BE
Ndonëse bisedimet e zhvilluara në Majemi nuk prodhuan ndonjë përparim të madh drejt përfundimit të luftës në Ukrainë, për përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës ato sërish ishin “konstruktive”.
I dërguari special i Donald Trump, Steve Witkoff, dhe negociatori kryesor ukrainas, Rustem Umerov, publikuan një deklaratë të përbashkët pas takimeve të fundjavës me aleatë evropianë. Ata bënë të ditur se diskutimet u fokusuan në harmonizimin e qëndrimeve mbi një plan me 20 pika, një kornizë shumëpalëshe të garancive të sigurisë, garancitë e sigurisë nga SHBA për Ukrainën, si dhe një plan ekonomik për rimëkëmbjen dhe prosperitetin afatgjatë të vendit.
Witkoff tha se edhe këto takime kanë qenë “produktive”, duke shtuar se Rusia shprehet e angazhuar për arritjen e paqes. Këto negociata vijnë pas javësh aktiviteti diplomatik, të nxitura nga rrjedhja e një plani amerikan paqeje me 28 pika, i cili shkaktoi shqetësim në Kiev dhe kryeqytetet evropiane, pasi u perceptua si i favorshëm për Rusinë. Megjithatë, mosmarrëveshjet kryesore mbeten, veçanërisht kërkesa e Moskës për të mbajtur territoret e pushtuara. Raporte të inteligjencës amerikane paralajmërojnë se presidenti rus Vladimir Putin ende synon të marrë kontrollin e plotë të Ukrainës dhe të rikthejë ndikimin mbi zona të ish-Bashkimit Sovjetik, duke shënjestruar vendet Baltike.
Autoritetet ruse njoftuan sakaq se një sulm me dron nga Ukraina ka dëmtuar dy anije dhe dy molë në rajonin Krasnodar, duke shkaktuar zjarr të madh, por pa viktima, pasi ekuipazhet u evakuuan në kohë.
Top Channel