Ndodhej pranë brigjeve të Venezuelës, SHBA-të sekuestrojnë anije në ujërat ndërkombëtare
Ish-kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, dhe bashkëshortja e tij, Bushra Bibi, janë dënuar me burgim të mëtejshëm pasi një gjykatë i shpalli fajtorë për mashtrim dhe shkelje të rregullave mbi dhuratat shtetërore.
Rasti lidhet me një set bizhuterish luksoze të dhuruara gjatë një vizite shtetërore në vitin 2021.
Gjykata vendosi dënime prej 10 vitesh burg për shkelje të besimit dhe shtatë vitesh për sjellje të keqe penale, si dhe një gjobë prej mbi 16 milionë rupish pakistaneze. Sipas autoriteteve, dënimet do të vuajnë njëkohësisht me dënimet e mëparshme që çifti tashmë po kryen në burg.
Bizhuteritë, një set i markës Bulgari, iu dhuruan Bushra Bibit nga Princi i Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman. Sipas ligjit pakistanez, dhuratat shtetërore duhet t’i dorëzohen thesareve shtetërore, por mund të blihen më pas nga zyrtarët me çmim të vlerësuar zyrtarisht.
Sipas dokumenteve të gjykatës, Imran Khan dyshohet se urdhëroi një firmë private ta nënvlerësonte setin e bizhuterive, duke e blerë më pas atë me një çmim shumë më të ulët se vlera reale. Rasti njihet në Pakistan si “Toshakhana 2”.
Avokati i Khan, Salman Safdar, i tha BBC-së se vendimi do të ankimohet dhe se ekipi ligjor ishte informuar për dënimin vetëm vonë në mbrëmje, jashtë orarit zyrtar të gjykatës. Khan i ka cilësuar akuzat si të motivuara politikisht.
Imran Khan ndodhet në paraburgim që nga gushti i vitit 2023 dhe në janar u dënua me 14 vjet burg për një rast tjetër korrupsioni. Ai përballet me dhjetëra çështje të hapura ligjore, përfshirë akuza për rrjedhje të sekreteve shtetërore dhe terrorizëm lidhur me protestat e dhunshme të majit 2023.
Khan ishte kryeministër i Pakistanit deri në prill 2022, kur u rrëzua nga pushteti përmes një vote mosbesimi. Edhe pse nuk është parë publikisht, mesazhe të publikuara në emrin e tij në rrjetet sociale vazhdojnë të kritikojnë ashpër qeverinë aktuale dhe udhëheqjen ushtarake të vendit.
Vendimi i gjykatës thekson se dënimi u zbut pjesërisht për shkak të moshës së Imran Khanit, ndërsa atij aktualisht i është mohuar çdo vizitë familjare.
Top Channel