“Shqipëria është një mrekulli e diplomacisë amerikane”/ Bushati takohet me sekretarin e SHBA-së, Marco Rubio

20/12/2025 18:22

Ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Ervin Bushati, është takuar me sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, ku kanë diskutuar për marrëdhëniet mes vendeve.

Ai tha se Sekretari Rubio pohoi se ky është një rast miqësie midis vendeve dhe se është një “kuptim i shkëlqyer i politikës e diplomacisë”.

Bushati në postimin e tij në Facebook, zbuloi se ka ftuar Rubion të vizitojë Shqipërinë, për të forcuar miqësinë mes dy vendeve.

Postimi i plotë: 

“Shqipëria është një mrekulli e diplomacisë amerikane. Përmes përkrahjes së saj, vendi ynë u kthye nga një vend i izoluar komunist në një partner dhe aleat të besueshëm të SHBA-së, dhe sot është vendi më proamerikan në botë.

Këtë vlerësim e ndava me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Marco Rubio, i cili ra dakord se kjo lidhje historike është dëshmi e miqësisë së vërtetë mes dy vendeve dhe një histori suksesi nga pikëpamja politike dhe diplomatike.

Gjatë bisedës, theksova gjithashtu se Shqipëria është atdheu i Nënë Terezës dhe simbol i paqes dhe bashkëjetesës në botë.

Në plan personal, u ndjeva krenar dhe i lumtur të dëgjoja se Nënë Tereza ishte shenjtore e familjes Rubio.

Po ashtu, pata nderin që, në emër të Kryeministrit Edi Rama, ta ftoja Sekretarin Rubio të vizitojë Shqipërinë, për të forcuar edhe më tej miqësinë e ngushtë mes dy vendeve. Ishte një takim mbresëlënës me një mik të madh të lirisë dhe demokracisë në botë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB