Rusia e gatshme për paqe, Putin: Nuk do të ketë më luftë nëse Perëndimi na trajton me respekt

19/12/2025 18:59

Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se pas luftës në Ukrainë nuk do të ketë më konflikte, nëse Perëndimi trajton Rusinë “me respekt” dhe merr parasysh interesat e saj të sigurisë, duke i quajtur “marrëzi” pretendimet se Moska po planifikon sulme ndaj vendeve evropiane.

Deklaratat u bënë gjatë një eventi maratonë televiziv prej gati katër orësh e gjysmë, ku Putin iu përgjigj pyetjeve të publikut dhe gazetarëve.

I pyetur nga BBC nëse Rusia do të ndërmarrë operacione të tjera ushtarake, ai tha se nuk do të ketë asnjë operacion nëse respektohen interesat e tyre.

Putin shtoi se kushti kryesor mbetet që Perëndimi të mos e mashtrojë Rusinë, duke iu referuar zgjerimit drejt lindjes të NATO-s, për të cilin ai pretendon se shkel premtime të bëra në vitin 1990, pretendime që janë mohuar nga ish-udhëheqës sovjetikë.

Në lidhje me luftën në Ukrainë, presidenti rus tha se Moska është e gatshme ta përfundojë konfliktin në mënyrë paqësore, por pa dhënë shenja kompromisi.

Ai përsëriti kërkesat e Rusisë që forcat ukrainase të tërhiqen nga katër rajone pjesërisht të pushtuara dhe që Kievi të heqë dorë nga aspiratat për anëtarësim në NATO.

Putin po ashtu kërkoi zhvillimin e zgjedhjeve të reja në Ukrainë si pjesë e çdo marrëveshjeje paqeje dhe u shpreh se Rusia do të ndalonte bombardimet gjatë procesit të votimit.

Ai hodhi poshtë pretendimet se sulmet e Ukrainës ndaj flotës “hije” ruse të cisternave do të dëmtonin eksportet ruse.

Në planin e brendshëm, Putin pranoi vështirësitë ekonomike, përfshirë rritjen e çmimeve dhe taksave, por autoritetet ruse u përpoqën të theksonin stabilitetin ekonomik, ndërsa banka qendrore njoftoi uljen e normës së interesit në 16%.

Presidenti rus akuzoi sërish Perëndimin se po krijon një armik nga Rusia dhe pretendoi se vendet perëndimore po zhvillojnë luftë kundër Moskës me duart e Ukrainës.

Ai tha se Rusia është e gatshme të bashkëpunojë me SHBA-në, Evropën dhe Mbretërinë e Bashkuar, por vetëm si e barabartë dhe me respekt të ndërsjellë.

Deklaratat e Putinit vijnë në një kohë kur shërbimet evropiane të inteligjencës paralajmërojnë se Rusia mund të përbëjë kërcënim për NATO-n në vitet e ardhshme, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se një marrëveshje paqeje për Ukrainën është më afër se kurrë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB