Rihapet çështja e “plusvalencave” të Juventusit, BE vë në diskutim autonominë e drejtësisë sportive

19/12/2025 12:18

Ideja e paraqitur dje nga Avokati i Përgjithshëm i Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian, Dean Spielmann, ka rihapur në mënyrë sensacionale çështjen e skandalit të fitimeve kapitale që përfshin ish-drejtuesit e Juventusit.

Në qendër të debatit janë pezullimet dyvjeçare të vendosura ndaj Andrea Agnellit dhe Maurizio Arrivabenes, por pasojat e mundshme shkojnë shumë përtej sanksioneve individuale, duke prekur vetë ekuilibrin mes autonomisë së sportit dhe mbrojtjes së të drejtave themelore të garantuara nga BE-ja.

Në analizën e tij, Spielmann ka trajtuar përputhshmërinë e sanksioneve sportive me rregullat evropiane mbi lëvizjen e lirë dhe konkurrencën. Sipas tij, një ndalim dyvjeçar për të ushtruar aktivitet në futbollin profesionist nuk është në vetvete në kundërshtim me të drejtën e Bashkimit Evropian, për aq kohë sa masa justifikohet nga nevoja për të mbrojtur integritetin e garave. Megjithatë, ky legjitimitet varet nga respektimi i kritereve të qarta, objektive, jodiskriminuese dhe proporcionale, si dhe nga transparenca dhe drejtësia e procesit disiplinor.

Pika më delikate e mendimit lidhet me rolin e gjyqësorit shtetëror. Aktualisht, sistemi italian i drejtësisë sportive kufizon ndërhyrjen e gjykatave administrative, duke mos u lejuar atyre të pezullojnë apo të anulojnë sanksionet disiplinore, por vetëm të japin dëmshpërblime financiare. Sipas Avokatit të Përgjithshëm, ky kufizim bie ndesh me ligjin evropian dhe cenon të drejtën për mbrojtje efektive gjyqësore.

Në thelb, Spielmann thekson se autonomia e sportit nuk mund të prevalojë mbi të drejtat themelore, si e drejta për punësim. Nëse një sanksion rezulton i paligjshëm, një gjyqtar kombëtar duhet të ketë kompetencën reale për ta rrëzuar atë dhe jo vetëm të kompensojë pasojat ekonomike.

Edhe pse mendimi i Avokatit të Përgjithshëm nuk është detyrues, Gjykata e Drejtësisë e BE-së shpesh ndjek këtë linjë në vendimet përfundimtare. Vendimi pritet brenda tre deri në gjashtë muajsh dhe, nëse konfirmon këtë qasje, mund të hapë një skenar të ri me pasoja të thella për sistemin e drejtësisë sportive në Itali, duke i dhënë Agnellit dhe Arrivabenes një mjet të fortë ligjor për të kundërshtuar sanksionet dhe duke detyruar rishikimin e marrëdhënies mes gjykatave sportive dhe atyre shtetërore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB