Masakra me 15 të vrarë në Bondi Beach, Australia njofton skemën e blerjes së armëve
Presidenti rus Vladimir Putin do t’u përgjigjet sot pyetjeve të gazetarëve dhe qytetarëve sot në konferencën e tij vjetore për shtyp për të shqyrtuar vitin e kaluar, ndërsa përpjekjet diplomatike intensifikohen për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Putini i cili është në pushtet prej 25 vitesh, e ka dhënë këtë konferencë për shtyp të fundvitit që nga viti 2001, e cila zgjat disa orë dhe transmetohet drejtpërdrejt në televizion.
Me këtë rast, presidenti rus i referohet çështjeve të ndryshme, nga gjeopolitika te ekonomia, apo edhe planet e tij për të ardhmen dhe, si çdo vit pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, priten deklaratat e tij në lidhje me zhvillimin e kësaj lufte.
Të mërkurën, Putin përsëriti se qëllimet e Rusisë në Ukrainë “padyshim do të arrihen”, qoftë përmes diplomacisë apo mjeteve ushtarake. Ai gjithashtu foli me një ton shumë të ashpër ndaj udhëheqësve europianë, të cilët tha se aspirojnë të shkaktojnë “kolaps” të Rusisë.
Konferenca për shtyp do të fillojë në orën 11:00. Të pranishmit iu nënshtruan testeve të covid, siç bëjnë zakonisht ata që marrin pjesë në takime ose konferenca me Putinin.
Kjo konferencë vjetore për shtyp është një shans për presidentin rus të dëgjojë ankesat e qytetarëve në të gjithë Rusinë, vendin më të madh në botë, siç janë gjendja e spitaleve ose mungesa e shkollave etj.
Sipas zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, Putin u përgatit për intervistën të mërkurën “deri vonë natën”, duke lexuar pyetje nga qytetarët dhe vazhdoi përgatitjet e tij gjatë gjithë të enjtes.
Peskov shpjegoi gjithashtu se presidentit iu bënë më shumë se dy milionë pyetje, të cilat u zgjodhën me ndihmën e inteligjencës artificiale. Çështjet sociale “zënë një vend të spikatur”, theksoi ai në një intervistë me gazetën Izvestia.
Konferenca vjetore për shtyp dikur ndahej në dy pjesë, pjesa e parë ishte Putini që merrte pyetje nga gazetarët me pjesëmarrjen e mediave perëndimore dhe më pas pyetje nga qytetarët. Që nga viti 2023, të dy pjesët janë bashkuar.
Top Channel