Arrestohet në Mal të Zi dhe ekstradohet në Shqipëri, një 31-vjeçar i akuzuar si bashkautor i kultivimit të mijëra bimëve narkotike, në disa fshatra të qarkut Lezhë, këtë vit.
Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë dhe shkëmbimit të informacioneve ndërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe specialistëve të Interpol Podgoricës, u kap në Mal të Zi dhe u ekstradua në Shqipëri shtetasi shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, Magiljan Deda, 31 vjeç, i lindur në Lezhë.
Në muajin prill të këtij viti, Gjykata e Lezhës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
Shtetasi Magiljan Deda akuzohet se ka kultivuar, në bashkëpunim me shtetasit e identifikuar gjatë operacionit policor të koduar “Vakumi”, mijëra bimë narkotike në fshatrat Gocaj dhe Rraboshtë, Lezhë, të cilat janë përpunuar më pas me qëllim shitjen.
Shitja e lëndës narkotike u parandalua si rezultat i ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë së Lezhës, në kuadër të operacionit “Vakumi”, të cilat sekuestruan në fshatin Balldre, në muajin prill të këtij viti, 3 thasë me rreth 34 kg cannabis.
Top Channel