Sezoni festiv në DigitAlb/ Me Paketën Premium përfitoni Champions League, Serie A dhe Big Brother
Dele Alli ka lënë të kuptohet se një rikthim në fushë mund të jetë shumë pranë, pas një postimi enigmatik në rrjetet sociale.
Mesfushori ofensiv, aktualisht pa klub, ka shpërndarë në “Instagram Story” një foto ku shfaqet i veshur me pajisje stërvitore dhe me topin në këmbë, të shoqëruar nga tre zemra – një sinjal që ka ndezur menjëherë spekulimet për të ardhmen e tij.
29-vjeçari është lojtar i lirë që prej shtatorit, kur kontrata e tij me Comon u ndërpre. Ish-reprezentuesi i Anglisë po kërkon një mundësi të re për të ringritur karrierën, pas një periudhe të vështirë në Itali.
Gjatë kohës te Como, Dele Alli shpresonte të gjente sërish formën e tij më të mirë, por eksperienca rezultoi zhgënjyese. Ai zhvilloi vetëm një ndeshje nën drejtimin e Cesc Fàbregas, dhe ajo përfundoi në mënyrën më të keqe: u ndëshkua me karton të kuq vetëm 10 minuta pas hyrjes nga stoli në debutimin e tij kundër Milanit, në muajin mars. Pas atij episodi, nuk iu dha më asnjë minutë loje përpara largimit nga klubi.
Megjithatë, Dele Alli nuk ka hequr dorë. Ai ka vazhduar të punojë individualisht për përgatitjen fizike, duke u mbajtur në formë ndërsa pret ofertën e radhës. Postimi i fundit shihet si një mesazh i qartë se mesfushori ndihet gati për një kapitull të ri.
I rritur futbollistikisht te Milton Keynes Dons, Dele Alli shpërtheu në skenën ndërkombëtare me fanellën e Tottenhamit, ku u shndërrua në një nga mesfushorët më të talentuar të brezit të tij. Tani, pas ulje-ngritjeve, ai synon një rikthim që mund të shënojë një kthesë të re në karrierën e tij.
Top Channel