“Bologna fatale”, tabu për t’u thyer/ Interi përballë historisë së tij të errët në gjysmëfinalen e Superkupës së Italisë

19/12/2025 11:44

“Bologna fatale” është një etiketë që Interi dëshiron ta fshijë njëherë e mirë.

Një tabu e ndërtuar me kalimin e viteve, mes humbjesh dhe episodeve vendimtare, që sot rikthehet në skenë në gjysmëfinale, përballë një rivali që shpesh ka ditur t’i prishë planet zikaltërve.

Statistikat dhe kujtesa kolektive flasin qartë. Që nga viti 2022, Bolonja është shndërruar në një pengesë të vështirë për Interin. “Në vitet e fundit na kanë krijuar shumë probleme”, ka pranuar mbrojtësi Alessandro Bastoni. Por nga ana tjetër, trajneri i Bolonjës Vincenzo Italiano thekson se “një ndeshje e vetme në një kompeticion me eliminim direkt është krejt ndryshe nga kampionati”.

Historia e fundit është e pasur me kapituj domethënës. Në vitin 2020, Bolonja e drejtuar nga Sinisa Mihajlovic fitoi në “San Siro” falë golave të Musa Barrow dhe Musa Juwara. Nga ajo skuadër, sot janë ende pjesë e Bolonjës emra si Ravaglia dhe Orsolini, protagonistë edhe në përballje të tjera të mëvonshme.

Në dhjetor 2023, në Kupën e Italisë, Bolonja e Thiago Mottas eliminoi Interin pikërisht në “San Siro”: Ravaglia, që atëherë zëvendësonte Skorupskin, priti një penallti të Lautaros, Beukema shënoi i pari dhe Ndoye vulosi fitoren 2-1 pas një aksioni të ndërtuar nga Zirkzee. Një tjetër goditje për zikaltërit.

Plaga më e thellë mbetet ajo e 27 prillit 2022 në “Dall’Ara”: një rivënie anësore e Perisic, gabimi fatal i Radu-t dhe goli i Nicola Sansones që i kushtoi Interit një hap vendimtar drejt humbjes së Scudettos përballë Milanit. Në shkurt 2023, sërish në “Dall’Ara”, me Thiago Motta në stol, Riccardo Orsolini firmosi fitoren 1-0, një tjetër humbje e rëndë në garën për kreun.

Edhe sezoni i kaluar shtoi një kapitull dramatik: më 21 prill 2025, në minutën e 94-t, Orsolini shënoi me gjysmë-vole pas një aksioni nga e majta, duke i dhënë fitoren Bolonjës dhe duke ndezur rrugën e Napolit drejt Scudettos së Antonio Contes. Nga ajo Bolonjë, sot janë ende Skorupski, Ravaglia, De Silvestri, Lykogiannis, Lucumi, Ferguson dhe vetë Orsolini.

Kjo është historia e “Bolognës fatale” për Interin. Sonte, në orën 20:00 sipas Italisë, hapet një kapitull i ri dhe ndryshe: përballja vendos një vend në finalen e Superkupës. E shkuara peshon, por e ardhmja mbetet për t’u shkruar. Gjithçka është ende për t’u luajtur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB