Zyrtare: Milan–Como do të luhet në Australi, sfida e Serie A zhvendoset në Perth

18/12/2025 20:59

Tashmë është gjithçka zyrtare. Ndeshja Milan–Como do të zhvillohet në Perth të Australisë më 8 shkurt, duke shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në procesin e ndërkombëtarizimit të Serie A.

Lajmi u konfirmua nga presidenti i Serie A, Ezio Maria Simonelli, gjatë një interviste për Sportmediaset në kuadër të Superkupës së Italisë që po zhvillohet në Riad. Simonelli bëri të ditur se gjithçka është sipas planit dhe se janë zgjidhur edhe çështjet e fundit organizative.

“Do të luhet atje sipas planit. Unë dhe Infantino u takuam në një atmosferë shumë pozitive dhe diskutuam disa shqetësime, veçanërisht për arbitrat, pasi ata do të ishin të emëruar nga jashtë. Collina më ka dhënë garanci për arbitrat aziatikë, pasi ka disa gjyqtarë cilësorë për të rekomanduar për këtë ndeshje. Do ta pranojmë këtë kusht dhe më pas do të finalizojmë pjesën tjetër,” u shpreh Simonelli.

Presidenti i Serie A komentoi gjithashtu suksesin e Superkupës së Italisë në Arabinë Saudite, duke përmendur ndeshjen Napoli–Milan, e cila u zhvillua me stadiumin plot në Riad.

“Jemi shumë të kënaqur me suksesin e këtij kompeticioni dhe me procesin e ndërkombëtarizimit, i cili po jep rezultate konkrete. Edhe këtu në Riad, publiku po tregon një pasion të jashtëzakonshëm,” shtoi ai.

Zhvendosja e ndeshjes Milan–Como në Australi pritet të tërheqë vëmendje të madhe ndërkombëtare dhe të forcojë më tej prezencën globale të kampionatit italian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB