U kap në “kiss cam” me shefin në koncertin e Coldplay, drejtoresha e HR thyen heshtjen

18/12/2025 15:22

Kristin Cabot, drejtoresha e burimeve njerëzore që u bë virale pasi u kap duke u përqafuar në mënyrë intime me shefin e saj të martuar gjatë një koncerti të Coldplay në Boston, ka folur për herë të parë publikisht, duke mohuar se kishte një lidhje seksuale me të.

Cabot, 53 vjeçe, dhe ish-CEO i kompanisë Astronomer, Andy Byron, u shfaqën në ekranin gjigant të koncertit më 16 korrik, në një moment të afërt që u transmetua nga “kiss cam”.

Sapo kuptuan se po shfaqeshin para mijëra njerëzve, të dy u ndanë me shpejtësi dhe u përpoqën të fshiheshin, ndërsa momenti u komentua edhe nga këngëtari i Coldplay, Chris Martin, i cili tha me shaka: Ose janë duke tradhtuar, ose janë shumë të turpshëm

Pas muajsh heshtjeje, Cabot ka deklaruar për New York Times se gjithçka ishte një gabim i vetëm, i nxitur nga alkooli.

“Mora një vendim të keq. Piva disa kokteje, kërcyem dhe u solla në mënyrë të papërshtatshme me shefin tim. Nuk është diçka e vogël. Mora përgjegjësi dhe sakrifikova karrierën time për këtë. Ky ishte çmimi që zgjodha të paguaj”, u shpreh ajo.

Ajo pranoi se kishte një simpati për Byron, por theksoi se para asaj mbrëmjeje ata nuk kishin pasur asnjë marrëdhënie intime dhe as nuk ishin puthur ndonjëherë. Sipas saj, puthja në koncert ishte e para dhe e fundit.

Ngjarja u kthye në një stuhi mediatike. Cabot tregon se është tallur publikisht, është quajtur “tradhtare” nga të panjohur dhe ka marrë mbi 60 kërcënime me vdekje.

“Dua që fëmijët e mi ta dinë se njerëzit mund të gabojnë rëndë, por askush nuk duhet të kërcënohet me vdekje për një gabim”, tha ajo.

Situata ishte edhe më e ndërlikuar pasi Cabot ishte drejtore e HR dhe Byron CEO i kompanisë.

“Është kaq klishe dhe kaq keq”, kujton ajo.

Të dy u vendosën menjëherë në leje nga kompania, ndërsa pas hetimit, Byron dha dorëheqjen si CEO dhe më pas u largua edhe Cabot.

Ajo zbuloi gjithashtu se në koncert ndodhej edhe bashkëshorti i saj i larguar, Andrew, me një shoqëruese tjetër. Çifti ishte i martuar prej dy vitesh, por i ndarë në atë kohë. Cabot depozitoi kërkesën për divorc më 13 gusht, ndërsa Andrew konfirmoi se vendimi për ndarje ishte marrë përpara incidentit.

Cabot thotë se fëmijët e saj adoleshentë po ndjekin terapi dhe janë pritur me mirëkuptim në shkollë, ndërsa ajo vetë po rikthehet gradualisht në jetën normale.

Kontakti me Andy Byron ka përfunduar që në shtator, pasi të dy ranë dakord se komunikimi mes tyre e bënte më të vështirë shërimin dhe ecjen përpara.

Rasti mbetet një nga skandalet më të komentuara të verës, duke hapur debat të gjerë mbi jetën private, gjykimin publik dhe pasojat e një momenti të vetëm të gabuar./Tar

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB