Sulmi me dron ukrainas plagos 4 persona, shkakton zjarr dhe dëme materiale në Rostov të Rusisë Një reagim i fortë ka ardhur nga Athina pas deklaratave të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, lidhur me emrin e shtetit fqinj.
Ministria e Jashtme e Greqisë thekson qartë se emri kushtetues i vendit është “Republika e Maqedonisë së Veriut”, një emërtim i detyrueshëm në bazë të Marrëveshjes së Prespës , për të dyja palët, si në nivel ndërkombëtar, ashtu edhe në atë të brendshëm.
Reagimi i Athinës vjen pas deklaratave të kryeministrit Mickoski, i cili, në një intervistë televizive, pretendoi se në praktikë është rikthyer përdorimi i emrit “Maqedoni”, duke iu referuar edhe mënyrës se si opozita e vendit përdor terminologjinë në paraqitjet publike.
Mickoski i është referuar liderit të opozitës, Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së duke
pretenduar se edhe opozita, e cila kishte nënshkruar Marrëveshjen e Prespës, sot shmang përdorimin e termit “Veriore” dhe flet thjesht për “Maqedoni”.
Ai deklaroi se Filipçe, në paraqitjet e tij publike, përdor vazhdimisht termin “Maqedoni”. Kryeministri shtoi se e njëjta gjë ndodh edhe me drejtues të tjerë të opozitës , të cilët, sipas tij, sot paraqiten si patriotë, ndonëse ishin ata që firmosën marrëveshjen me Greqinë. Sipas Mickoskit, kjo tregon se emri është “rikthyer në praktikë”.
Këto deklarata erdhën si përgjigje ndaj kritikave të LSDM-së, e cila akuzon Mickoskin se nuk është i besueshëm, pasi para zgjedhjeve kishte premtuar anulimin e Marrëveshjes së Prespës.
Ndërkohë Greqia rikujton se Marrëveshja e Prespës është pjesë e së Drejtës Ndërkombëtare dhe se respektimi i traktateve përbën bazën e bashkëjetesës paqësore mes popujve dhe shteteve. Ministria e Jashtme greke thekson se përparimi i marrëdhënieve dypalëshe me Maqedoninë e Veriut, si dhe vazhdimi normal i rrugës evropiane të vendit fqinj, varen drejtpërdrejt nga respektimi i plotë i asaj që është rënë dakord dhe nga parimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.
Top Channel