Mesfushori shqiptar i Milanit, Jashari: Nga Allegri po mësoj shumë, na jep besim të gjithëve në dhomën e zhveshjes…
Aventura e dytë e Thiago Silvës me Fluminense ka përfunduar më herët se sa pritej.
Mbrojtësi brazilian dhe klubi nga Rio de Janeiro kanë zyrtarizuar ndarjen me marrëveshje të përbashkët, pas përfundimit të kontratës së nënshkruar të martën pasdite në Qendrën Sportive “Carlos Castilho”, gjashtë muaj përpara skadimit të saj natyral.
Në moshën 41-vjeçare, ish-mbrojtësi i Milanit nuk ka ndërmend të tërhiqet nga futbolli. Përkundrazi, largimi nga Fluminense – klub ku u rikthye në majin e kaluar si një figurë legjendare – është pjesë e një plani ambicioz: rikthimi në Evropë për të provuar sërish vlerën e tij në një kampionat konkurrues dhe, mbi të gjitha, për të mbajtur gjallë shpresat për një thirrje sensacionale në kombëtaren braziliane për Kupën e Botës që zhvillohet verën e ardhshme.
Në sfond mbetet edhe ëndrra e madhe e Thiago Silvës për të mbyllur rrethin aty ku u afirmua si një nga mbrojtësit më të mirë në botë – te AC Milan. Braziliani nuk e ka fshehur kurrë dashurinë për kuqezinjtë dhe do të pranonte me dëshirë një “vallëzim të fundit” në “San Siro”. Megjithatë, ky skenar romantik duket se përplaset me strategjinë aktuale të klubit nga Via Aldo Rossi, i cili po fokusohet te lojtarë të rinj, me potencial dhe me kosto më të kontrolluar financiare, duke e bërë pak të mundshëm një rikthim nostalgjik për shkak të moshës së lojtarit.
Fluminense i dha lamtumirën kapitenit të saj me një deklaratë zyrtare plot mirënjohje, duke rikujtuar kontributin e jashtëzakonshëm të një lojtari të rritur në akademinë e klubit. Thiago Silva e mbyll eksperiencën e tij të dytë me fanellën trengjyrëshe me 212 paraqitje dhe 19 gola, si dhe me trofeun e Kupës së Brazilit në vitin 2007 dhe një rol kyç në arritjen e gjysmëfinaleve të Kupës së Botës për Klube.
Klubi e falënderoi për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar, duke i uruar suksese në këtë sfidë të re – ndoshta të fundit – të një kariere të jashtëzakonshme.
Top Channel