Kandidati i pavarur për Bashkinë e Tiranës, Florjan Binaj, u shfaq sot pranë Kryeministrisë, ku takoi Adriatik Lapajn, i cili prej disa ditësh po zhvillon një protestë.
Gjatë takimit, Binaj vlerësoi qëndrimin e Lapajt dhe deklaroi se do të jetë pjesë e të gjitha protestave të paralajmëruara në ditët në vijim.
Ai gjithashtu bëri të ditur se do t’i bashkohet tubimit të thirrur nga “Partia Mundësia” para Këshillit të Mandateve, protestës së lëvizjes “Shqipëria Bëhet” të shtunën, si dhe protestës së opozitës të organizuar nga Partia Demokratike më 22 dhjetor.
“Kur qytetarët heshtin, qeveria forcohet dhe abuzon. Kur qytetarët bashkohen dhe ngrenë zërin, pushteti detyrohet të tërhiqet,” u shpreh Binaj, duke shtuar se momenti aktual kërkon një reagim të përbashkët, pa ndasi partiake.
Ai theksoi se do të vazhdojë të jetë i pranishëm në çdo protestë qytetare.
Postimi i Binajt:
Protestat kundër qeverisë janë detyra bazë të çdo qytetari që nuk pranon të nëpërkëmbet, nuk pranon të vidhet dhe të nënçmohet.
Kur qytetarët heshtin, qeveria trimërohet dhe abuzon e i shkel qytetarët e saj me këmbën e pushtetit. Kur qytetarët ngrenë zërin, çohen në këmbë, protestojnë së bashku, qeveritë tërhiqen dhe struken.
Sot është dita që të gjithë ne, të gjithë qytetarët, pa dallime partiake, t’i fusim frikën qeverisë dhe ta ndalim në këtë rrugë të mbrapshtë ku e ka futur Shqipërinë.
Ne duhet të ngremë zërin, të çohemi në këmbë dhe të bëhemi bashkë.
Është shumë mirë që njerëzit po çohen por nuk është gjë e mirë që po çohen të ndarë në grupe të ndryshme.
Unë do të bëhem pjesë e të gjitha protestave. Sot isha tek protesta e Adriatikut dhe e mbështetësve të protestës së tij, nesër do t’i bashkohem protestës së Partisë “Mundësia”.
Ditën e shtunë do ti bashkohem protestës së levizjes “Shqipëria Bëhet”, dhe ditën e hënë do të marr pjesë në protestën e organizuar nga Partisa Demokratike. Shpresoj shumë dhe uroj me zemër, që shumë shpejt do bëhemi të gjithë sërish së bashku, pa dallime politike, të gjithë si qytetarë!
Top Channel