Ekskluzive / Botërori i 2026-s është për të pasurit, nëse Kuqezinjtë kualifikohen, vetëm biletat e ndeshjeve kushtojnë 1500 dollarë
Presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar një shpallje të re, e cila mund t’u ndalojë tifozëve të Senegalit dhe Bregut të Fildishtë pjesëmarrjen në Kupën e Botës 2026 që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Administrata Trump vendosi të martën masa të reja ndalimi udhëtimi, duke pezulluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara për shtetasit e Senegalit dhe Bregut të Fildishtë. Ndalimi përfshin udhëtime afatshkurtra për turizëm apo punë, çka do të thotë se tifozët që synojnë të ndjekin ndeshjet e Botërorit në SHBA pritet të refuzohen.
Senegali është shortuar në Grupin I, së bashku me Francën, Norvegjinë dhe fituesin e një “playoff”-i mes Bolivisë, Irakut ose Surinamit. Dy ndeshjet kundër Francës dhe Norvegjisë do të luhen në stadiumin “MetLife” në SHBA, ndërsa takimi ndaj ekipit të dalë nga “playoff”-i do të zhvillohet në Toronto, Kanada, ku tifozët do të lejohen normalisht.
Në të njëjtën situatë ndodhet edhe Bregu i Fildishtë, i cili bën pjesë në Grupin E së bashku me Gjermaninë, Ekuadorin dhe Curaçaon – shtetin më të vogël që ka siguruar ndonjëherë kualifikimin në Kupën e Botës. Ndeshjet ndaj Ekuadorit dhe Curaçaos do të zhvillohen në SHBA, ndërsa përballja me Gjermaninë do të luhet në Kanada, pa kufizime për tifozët.
Sipas urdhrave ekzekutivë të mëparshëm të miratuar nga Trump, ekzistojnë përjashtime për lojtarët, stafin dhe familjarët e afërt të ekipeve kombëtare. Kjo do të thotë se yje të Premier League si Iliman Ndiaye dhe Nicolas Jackson (Senegal), apo Amad Diallo dhe Evann Guessand (Bregu i Fildishtë), nuk do të kenë probleme për të marrë pjesë në turne.
Megjithatë, për dhjetëra mijëra tifozë nga këto dy vende, rregullat e reja përbëjnë një pengesë serioze. Senegali dhe Bregu i Fildishtë janë mes 15 vendeve të tjera të përfshira në shpalljen e fundit, duke iu shtuar listës së 12 shteteve që u përballën me ndalime udhëtimi në qershor.
Në listën fillestare përfshiheshin edhe Irani dhe Haiti, dy vende të kualifikuara në Kupën e Botës, tifozët e të cilave gjithashtu rrezikojnë të mos ndjekin nga afër ndeshjet e ekipeve të tyre.
Shtëpia e Bardhë sqaroi se shpallja përfshin përjashtime për rezidentët e përhershëm ligjorë, mbajtësit e vizave ekzistuese, kategori të caktuara vizash si atletët dhe diplomatët, si dhe individë, hyrja e të cilëve shërben për interesat kombëtare të SHBA-së.
Ky nuk është shqetësimi i vetëm për tifozët që planifikojnë të udhëtojnë drejt SHBA-së për Botërorin 2026. Çmimet shumë të larta të biletave për ndeshjet e zhvilluara në SHBA kanë shkaktuar reagime të forta.
Si përgjigje, FIFA prezantoi një kategori të re biletash “supporter entry tier” me çmim 45 paund, të cilat do t’u shpërndahen federatave përkatëse për tifozët më besnikë. Megjithatë, kjo zgjidhje është cilësuar nga shumë tifozë si “një shaka”, pasi më pak se 2 për qind e kapacitetit total të stadiumeve do t’i jepet secilit shtet me këtë çmim.
Top Channel