Gjendet pas 13 vitesh avioni që u zhduk papritur, gjobitet me 85 mijë paund për parkim të gabuar

17/12/2025 22:03

Një avion pasagjerësh Boeing, i cili kishte humbur më shumë se një dekadë më parë, është gjetur dhe tani përballet me një gjobë të konsiderueshme për parkim e akumuluar ndër këto vite.

Air India tha se kishte humbur një nga avionët e saj në Aeroportin e Kalkutës në vitin 2012. Avioni duket se ishte zhdukur nga të dhënat zyrtare derisa aeroporti kontaktuar linjën ajrore për të kërkuar që Boeing 737-200 të hiqej.

Linja ajrore tani është gjobitur me një shumë prej 85 mijë paund për tarifat e parkimit të grumbulluara gjatë këtyre viteve.

Sipas raportimeve, Air India fillimisht mohoi se avioni ishte i tyre. Megjithatë, auditi i brendshëm i linjës ajrore identifikoi aeroplanin 30 tonësh dhe 30 metra të gjatë si avionin e tyre të zhdukur. Ndërrimi i stafit dhe boshllëqet në dokumentacionin zyrtar gjatë viteve çuan në humbjen e avionit nga regjistrat e linjës ajrore.

Avioni fillimisht ishte regjistruar në emër të Indian Airlines, një linjë tjetër shtetërore që u bashkua me Air India në vitin 2007. Boeing-u më pas iu dha me qira shërbimit postar Indian Post dhe u shndërrua në avion mallrash para se të çregjistrohej në vitin 2012.

Drejtori ekzekutiv i Air India, Campbell Wilson, tha se avioni ishte nxjerrë nga përdorimi vite më parë për operacione me India Post dhe ishte lënë jashtë shumë dokumenteve zyrtare.

Avioni u shit dhe u transportua me rrugë tokësore në Bengaluru dy javë më parë, ku tani do të përdoret për stërvitjen tokësore të ekuipazhit ajror. Zyrtarët konfirmuan se Air India kishte paguar aeroportit gjobën për tarifat e parkimit dhe shërbimit për qëndrimin 13-vjeçar të avionit.

Avioni i rikuperuar pati një karrierë të gjatë dhe të larmishme, duke fluturuar për Indian Airlines, Alliance Air dhe India Post para se të çmontohej në vitin 2012.

Largimi i Boeing 737-200 shënon avionin e 14-të të braktisur që është larguar nga Aeroporti i Kalkutës në pesë vitet e fundit. Sipas zyrtarëve, dy avionë të tjerë të padeklaruar ATR-72 të operuar më parë nga Alliance Air kanë qëndruar gjithashtu në aeroport për rreth pesë vjet. Këta avionë mbeten të parkuar në një zonë të largët në anën jugperëndimore të aeroportit.

Ngjarja vjen pas një aksidenti tragjik të një aeroplani pasagjerësh të Air India me destinacion Londrën, i cili u rrëzua në Ahmedabad në qershor 2025, duke shkaktuar vdekjen e 241 prej 242 personave në bord.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB