Drejtoria e Arkivave boton tre studime të reja, përfshirë monografinë për gazetarin Nikollë bej Ivanaji dhe udhërrëfyesin për dokumentet e arkivit në italisht

17/12/2025 18:39

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka prezantuar 3 botimet studimore, që trajtojnë figura historike dhe të fushës të arkivistikës.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Endrit Musaj, përfaqësuesit e Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Bekim Aliu dhe Habibe Qovanaj, akademikë, si dhe arkivistë, studentë e studiues të fushave përkatëse.

Në fjalën e tij, Musaj u shpreh se këto botime japin një kontribut në historiografinë shqiptare, duke u bërë thirrje të gjithë të interesuarëve të aplikojnë dhe të dërgojnë propozimet e tyre, sipas kritereve të përcaktuara nga DPA-ja. “Dua të theksoj për ata studiues që duan të botojnë pranë DPA-së, që t’u përmbahen kritereve që ne publikojmë. Pasi në institucionin tonë drejtohen shumë propozime për botime, por që duhet të jenë doemos të lidhura me ngjarje apo personalitete historike. Nevojiten edhe manuale arkivore apo të lidhura me historikun e arkivave, të sfidave dhe përparësive të tyre. Në këtë gamë përfshihen edhe përmbledhjet e dokumenteve, punime mbi gjuhët e rralla dhe mbi mjetet e kërkimit arkivor, si treguesit, katalogët dhe inventarët”, përfundoi Musaj.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Aliu vlerësoi bashkëpunimin e vijueshëm me DPA-në në publikimin e përvitshëm të revistës “Arkivat Shqiptare”, e cila përfaqëson një produkt kulturor përtej kufijve shtetërorë. “Prej vitit 2017, kemi nisur me Konferencën Mbarëkombëtare të Arkivistikës, që sjell si fryt këtë revistë. Sivjet konferenca, e X-ta, do të mbahet në Kosovë dhe ju mirëpresim që të angazhoheni dhe që të paraqisni tema me rëndësi për arkivistikën, por edhe që kanë të bëjnë me fondet që gjenden në arkivat tona”, u shpreh Aliu.

Ndërsa, Qovanaj shpalosi përmbajtjen e revistë arkivore, të vetmes në mbarë trojet shqiptare. “Është një botim shkencor që është rezultat i bashkëpunimit tonë të qendrueshëm mes nesh. Përzgjodhëm dhe botuam 21 kumtesa, të cilat trajtojnë tema të larmishme, nga historia dhe kultura arbëreshe tek digjitalizimi, arkitektura dokumentare, etika profesionale, siguria juridike, studime gjuhësore dhe sfidat e ruajtjes së trashëgimisë dokumentare”, tha Qovanaj.

Për të nëntin vit, ky publikim përmbledh punimet e Konferencës periodike Mbarëkombëtare të Arkivistikës, të paraqitura prej studiuesve dhe arkivistëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

Dy prej botimeve të publikuara rishtas vijnë në trajtën e punimeve monografike ose të përmbledhjeve të dokumenteve rreth personaliteteve dhe zhvillimeve historike. “Nga zbardhja e fondit të Nikollë Ivanajt, veçanërisht kur flet për klerin katolik, zbulojmë se kishte mendime kontroversale për figura, si Gjergj Fishta. Kjo tregon se ka dallime të mëdha mes perceptimit të ngritur mbi historinë dhe vetë fakteve historike. Historia nuk është shkencë ekzakte. Historia ekzaminon në mënyrë të plotë, duke para të dyja anët, duke lënë mënjanë interpretimet”, theksoi autori Dario Haruni.

Në fjalën e tij, studiuesi Gentian Kuke, bëri të ditur se botimi i “Udhërrëfyes i dokumenteve në gjuhën italiane në AQSH, fondet personale dhe familjare, vëllim I”, është pjesë e një kolane me tri vëllime. “Kjo nismë imja është konceptuar në një formë trinie. Do ketë edhe dy botime të radhës. Në këtë vëllim të parë, përmblidhen dokumente në gjuhën italiane që gjenden në fonde arkivore personale”, tha Kuke.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB