Hulumtimet shkencore zbulojnë se vrimat e zeza, të vendosura në qendrat e galaktikave, nuk janë vetëm “përpirëse” të materies, por edhe burime të erërave kozmike jashtëzakonisht të fuqishme, të cilat nxjerrin një pjesë të materialit në hapësirë.

Studimi i ri, i bazuar në vëzhgimet e teleskopit hapësinor eROSITA, sfidon pikëpamjet e mëparshme mbi sjelljen e vrimave të zeza dhe ofron njohuri të reja mbi mënyrën se si ato ndikojnë në mjedisin galaktik përreth tyre.

Vrimat e zeza kanë një tërheqje gravitacionale aq të fortë saqë as materia dhe as drita nuk mund t’i shpëtojnë. Vrimat e zeza supermasive, që ndodhen në qendrat e galaktikave – përfshirë edhe Rrugën e Qumështit – kanë masa kolosale dhe thithin vazhdimisht gaz dhe materie nga mjedisi përreth. Ky material rrotullohet në formë spiraleje rreth vrimës së zezë, duke krijuar një disk akrecioni, përpara se të bjerë brenda saj dhe të rrisë masën e saj.

Gjatë këtij procesi çlirohen sasi të mëdha energjie, të cilat rrezatojnë dritë intensive, kryesisht në diapazonin e rrezeve X, e zbuluar nga teleskopët hapësinorë. Këto objekte tepër të ndritshme njihen si kuazare.

Hulumtimet e mëparshme sugjeronin se sa më shpejt të konsumonte materien një vrimë e zezë, aq më i dobët ishte rrezatimi i saj. Megjithatë, studimi i ri e kundërshton këtë ide. Sipas të dhënave të eROSITA-s, vrimat e zeza që thithin materien me ritme më të shpejta prodhojnë një rrezatim më të fortë dhe më energjik.

“Në kundërshtim me pritjet tona, zbuluam se shkëlqimi i rrezeve X bëhet më i fortë për vrimat e zeza që akumulojnë materie me shpejtësi më të lartë”, shpjegon Dr. Antonis Georgakakis, drejtues i studimit nga Observatori Kombëtar i Athinës.

Sipas studiuesve, shkrepjet intensive dhe të papritura të rrezatimit shkaktohen nga erëra të fuqishme dalëse, të prodhuara nga vetë kuazari. Këto erëra nxjerrin materie në hapësirë, duke formuar re që periodikisht “fshehin” burimin e dritës së vrimës së zezë, çka shkakton dridhjen karakteristike në rrezatimin e emetuar.

Studimi u krye nga Observatori Kombëtar i Athinës, nën drejtimin e Dr. Antonis Georgakakis, me pjesëmarrjen e Dr. Maria Chira dhe Dr. Angel Ruiz. Ai u financua nga Fondacioni Helenik për Kërkim dhe Inovacion (HEL.IDEK) dhe u bazua në vëzhgimet e teleskopit hapësinor eROSITA.

Observatori Kombëtar i Athinës dhe Instituti i Astronomisë, Astrofizikës, Aplikimeve Hapësinore dhe Teledeteksionit (IAADES) janë gjithashtu pjesë e konsorciumit gjerman që menaxhon teleskopin eROSITA, duke kontribuar me mjete softuerike për kalibrimin e rrezeve X dhe analizën e të dhënave vëzhguese.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB