Vrasja e çiftit tw Hollywood-it, reagon vajza e Rob Reiner: Jam e shokuar! Familja ime…
Autoritetet në Rhode Island, vijojnë operacionin për identifikimin dhe kapjen e autorit të sulmit me armë zjarri në Universitetin e Brown, ku humbën jetën dy studentë dhe u plagosën nëntë të tjerë.
Policia dhe agjentët federalë po zhvillojnë kontrolle derë më derë, duke mbledhur pamje nga kamerat e sigurisë që mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes.
Një person i ndaluar fillimisht si i dyshuar u lirua të hënën në mëngjes, pasi hetimet paraprake treguan se nuk kishte prova që e lidhnin me krimin.
Më pas, FBI në bashkëpunim me Policinë e Providences publikoi fotografi dhe video të një personi tjetër të dyshuar, duke ofruar një shpërblim prej 50 mijë dollarësh për informacion që çon në identifikimin dhe arrestimin e tij.
Autoritetet paralajmëruan se i dyshuari duhet konsideruar i armatosur dhe shumë i rrezikshëm.
Pamje të reja, të regjistruara rreth dy orë para të shtënave, tregojnë një person të veshur me rroba të errëta dhe me maskë që mbulon pjesën e poshtme të fytyrës.
Imazhet janë kapur pranë rrugëve Hope dhe Benevolent, shumë afër zonës ku ndodhi sulmi.
Viktimat e sulmit janë studentët Ella Cook, nga Alabama, e përshkruar nga miqtë si një vajzë e qetë dhe e sjellshme, si dhe Mukhammad Aziz Umurzokov, 18 vjeç, student i vitit të parë.
Nëntë persona të tjerë u plagosën dhe u transportuan në Rhode Island Hospital, sipas mediave amerikane, gjashtë prej tyre ndodhen në gjendje kritike.
Si masë sigurie, Universiteti Brown anuloi të gjitha aktivitetet mësimore për pjesën e mbetur të semestrit dhe u dha mundësi studentëve të largohen më herët për në shtëpi.
Universiteti njoftoi gjithashtu se ka dyfishuar praninë e personelit të sigurisë, duke theksuar se aktualisht nuk ka një kërcënim të drejtpërdrejtë.
Prokurori i Përgjithshëm i Rhode Island, Peter F. Neronha, konfirmoi se personi i ndaluar më herët nuk ka lidhje me ngjarjen.
Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të raportojnë çdo informacion të vlefshëm që mund të ndihmojë në arrestimin e autorit dhe të tregojnë kujdes të shtuar në zonë.
Top Channel