Kërkesa e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, reagon Berisha: Rama po e mbron, populli do e thotë fjalën e tij më 22 dhjetor
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka reaguar pas kërkesës së SPAK drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.
“Rama dhe Balluku në të njëjtën varkë: Republika e Korrupsionit po mbytet!Përshëndes vendosmërinë dhe integritetin profesional të prokurorit të SPAK-ut, Dritan Prençi, i cili nuk iu nënshtrua presionit të Edi Ramës dhe disa grupeve të rrezikshme kriminale për Belinda Ballukun.
Kërkesa për heqjen e imunitetit dhe caktimin e masës së arrestit ndaj Belinda Ballukut është akti që e prisnin të gjithë, përfshirë Edi Ramën, pas vendimit të përkohshëm dhe të diktuar nën presion të Gjykatës Kushtetuese. Sot, u bë e qartë se, me prokurorë me integritet, asnjë manovër nuk e ndal dot përballjen me përgjegjësinë penale dhe se Republika e Korrupsionit nuk mbahet më mbi ujë.
Përpjekjet teatrale të Edi Ramës në mbrojtje të Belinda Ballukut nuk janë as politike dhe as institucionale. Ato janë përpjekje dëshpëruese për vetëmbrojtje. Rama përpiqet të shpëtojë lëkurën e tij nga provat me të cilat Belinda Balluku e mban peng.
Ata të dy janë në të njëjtën varkë. Një varkë që fut ujë nga çdo anë. Ujë të pistë korrupsioni, që nuk mbahet më as me propagandë, as me kërcënime, as me manovra procedurale.
Kryetari i Kuvendit të thërrasë menjëherë Këshillin e Imunitetit, të njoftojë anëtarëve materialet menjëherë siç ligji e detyron, si dhe seanca plenare të garantojë parimin e barazisë para ligjit. Asnjë vonesë dhe asnjë pengesë ndaj drejtësisë nuk mund të tolerohet.
Drejtësia ka folur. Tani Edi Rama nuk ka më ku të fshihet”, shkruan ai.
Top Channel