“Pronat e shqiptarëve në Greqi, përmes një qasje graduale”, Spiropali kërkon në Athinë heqjen e ligjit të luftës: Pakti i Detit sipas të Drejtës Ndërkombëtare

16/12/2025 14:14

Ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali ka kërkuar në Athinë heqjen e ligjit të luftës.

Në ditën e parë të një vizite dy ditore në vendin fqinj, kryediplomatja shqiptare përsëriti gjatë një deklarate të përbashkët me homologun e saj grek, se çdo referencë ligjore nga lufta e dytë botërore, duhet të shfuqizohet.

Edhe nga takimet e sotme më përforcohet bindja se ky potencial miqësie krijon momentin e duhur për të trajtuar të gjitha çështjet e ashtuquajtura të mbetura, si edhe ato aktuale, në mënyrë që të hapim sa më shpejt një kapitull të ri, duke e parë përfundimisht të shkuarën tonë me sytë e së ardhmes së përbashkët. Në këtë drejtim, ne duhet të nxisim komunikimin mes shoqërive tona, mjediseve akademike, grupeve të interesit, organizatave profesionale, studentëve”, deklaroi Spiropali.

Sipas saj “Duke qenë partnerë në NATO, të lidhur nga një Traktat Miqësie dhe me perspektivë të përbashkët europiane, Shqipëria mbështet përfundimin sa më parë të çdo reference ligjore atavike nga Lufta e dytë Botërore, me pasoja në marrëdhëniet aktuale, e cila nuk pasqyron realitetin e marrëdhënieve tona si aleatë dhe si miq”.

Ajo u ndal gjithashtu edhe në ccështjen e pronave, për të cilën tha se “aspektet historike ligjore dhe pronësore të qytetarëve dhe subjekteve shqiptare në Greqi u trajtuan hapur në kuadër të dialogut konstruktiv dhe bashkëpunimit dypalësh. Palët theksuan rëndësinë e një qasjeje graduale dhe realiste, në përputhje me kuadrin ligjor përkatës dhe me frymën europiane, me qëllim forcimin e besimit reciprok dhe zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve tona”.

Një tjetër c çështje e prekur nga ministrja Spiropali ishte edhe marrëveshja e Detit. “Shqipëria mbetet po ashtu e përkushtuar për zgjidhjen e çështjeve të lidhura me kufirin (përfshirë edhe delimitimin e hapësirave detare) në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, ku palët janë plotësisht të hapura për dialog konstruktiv.
Ne do të vijojmë të udhëhiqemi nga vlerat thelbësore të BE-së, nga respekti për normat e të drejtës ndërkombëtare për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve dhe promovimin e stabilitetit në rajon”.

Ne do ta çmonim shumë vazhdimin e negociatave teknike për marrëveshjen bilaterale për mbrojtjen sociale. Kjo marrëveshje përbën një hap të rëndësishëm përpara në mbrojtjen e të drejtave të sigurimeve shoqërore dhe në garantimin e trajtimit të barabartë për punëtorët dhe personat e vetëpunësuar, si për shqiptarët në Greqi apo qytetarët grekë që punojnë në Shqipëri. Një shembull pozitiv dhe inkurajues është përvoja e suksesshme me firmosjen e marrëveshjeve të ngjashme me shumë vende partnere të Bashkimit Europian, përfshi Italinë në vitin 2024, apo edhe vende të tjera”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB