Bisedimet për paqe, zbulohen kushtet e Kremlinit: Na duhet një ligj që ndalon anëtarësimin e Kievit në NATO

16/12/2025 10:56

Moska forcon qëndrimin në negociatat për përfundimin e luftës në Ukrainë.

Kremlini kërkon garanci ligjore që Kievi të mos anëtarësohet kurrë në NATO, duke e cilësuar këtë kusht si bazë të çdo marrëveshjeje paqeje.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov, tha se Rusia “vlerëson përpjekjet” e presidentit amerikan Donald Trump për ndërmjetësim, por shmangu çdo afat konkret për mbylljen e konfliktit. “Presidenti Putin është i hapur për paqe serioze, jo për pauza të përkohshme apo manovra për të fituar kohë”, u shpreh ai, duke hedhur poshtë propozimet për armëpushim.

Sipas Moskës, gatishmëria e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për të hequr dorë nga NATO nuk mjafton. Kremlini kërkon që kjo të formalizohet në një dokument juridikisht detyrues, ndërsa idenë e referendumit për territoret e pushtuara e quan “pretekst për një armëpushim”.

Tensione ka edhe me Bashkimin Europian. Rusia paralajmëron pasoja serioze nëse BE përdor asetet ruse të ngrira për të financuar Ukrainën. Banka Qendrore ruse ka paditur Euroclear, duke kërkuar 200 miliardë euro dëmshpërblim, një hap që Moska e quan fillimin e një “makthi ligjor” për Europën.

Ndërkohë, media pranë Kremlinit akuzojnë Ukrainën dhe vendet europiane se po zvarrisin negociatat, ndërsa ofensiva ushtarake ruse vazhdon. Mesazhi i Moskës mbetet i prerë: pa kushte të qarta dhe detyruese për NATO-n dhe territorin, paqe nuk do të ketë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB